Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Operatori Kombëtar i Ujit do të jetë i distancuar nga politika. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e Operatorit Kombëtar të Ujit, Rama deklaroi se siç u distancua OSHEE, ku drejtuesit vendosen sipas meritës dhe jo politikës, do të jetë e njëjta gjë dhe me ujin.

“Një nga problemet themelore është niveli i ulët i burimeve njerëzore të ndërmarrjeve. Operatori kombëtar do të ketë kapacitetin që të jetë i distancuar siç i distancua nga politika OSHEE. Nuk bën vaki që drejtuesit e OSHEE ti vendosë partia dhe të lëvizin lart e poshtë se do partia. Është epokë e mbyllur. Është një ndërmarrje që funksionon me rregullat e një korporate që ka rezultate dhe energjia nuk është madh që dikujt shet apo dikujt ja fal. Të njëjtën gjë do bëjmë dhe me ujin. Do të fitojnë shumica e qytetarëve nga transformimi i këtyre shoqërive në një korporatë shtetërore publike të ujit. Edhe në këtë sektor do përpiqemi të krijojmë partneritete që do na ndihmojmë të rrisim cilësinë e punës. Më e rëndësishme është që siç i kemi dhënë mundësi teknikëve dhe inxhinierëve që të vijnë të konkurrojnë dhe të hyjnë në punë, politika jonë është për shërbim më të mirë për njerëzit dhe jo të përdorim pushtetin për të kthyer kompanitë shtetërore në vende qokash. Dhe në fund kam një fjalë për Tragjasin, të gjithë duhet ta kuptojnë që burimet ujore të republikës së Shqipërisë nuk janë të atij që i ka më afër, por janë të Republikës së Shqipërisë,” tha Rama.