Hamasi ka dorëzuar dy trupa të tjerë të pengjeve izraelite. IDF tha se trupat i ishin dorëzuar Kryqit të Kuq, dhe nëse konfirmohen se i përkasin pengjeve, numri total i tyre që janë dorëzuar shkon në 10. Pritet të dorëzohen edhe 18 të tjerë. Ndërsa 20 pengjet e gjallë u liruan pas marrëveshjes.

Ndërkohë, SHBA paralajmëron për një sulm të afërt të Hamasit ndaj popullsisë civile në Gaza. Departamenti i Shtetit deklaroi se kishin informuar vendet garantuese të marrëveshjes së paqes për një “shkelje të afërt të armëpushimit nga lëvizja kundër popullsisë” së Rripit të Gazës.

“Sulmi i planifikuar kundër civilëve palestinezë do të përbënte një shkelje të drejtpërdrejtë dhe serioze të armëpushimit dhe do të rrezikonte progresin e rëndësishëm të arritur nëpërmjet ndërmjetësimit”, tha Departamenti i Shtetit, duke shtuar se “do të merren masa për të mbrojtur popullsinë e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e armëpushimit”.

Bisedimet për fazën e dytë të planit të paqes nuk kanë nisur ende pasi Izraeli pret dorëzimin e të gjithë pengjeve të vdekur. Megjithatë, Hamasi ka këkuar kohë për gjetjen e tyre. Për këtë arsye, Izraeli ka shtyrë edhe hapjen e kalimit në Rafah, duke thënë se do të vlerësohet në bazë të përmbushjes së detyrimeve të Hamasit.

Si pjesë e marrëveshjes së paqes, është edhe çmilitarimi i Hamasit, por pritet të shihet se sa dakordësi do të kenë në këtë pikë.