“Festivali i Këngës” në RTSH, një nga ngjarjet muzikore më prestigjioze që zhvillohet në Shqipëri.
Në Festival, i cili do të mbahet në datat 17-20 dhjetor, si çdo vit nuk do të garohet vetëm për çmimin e madh, por edhe për përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovision Song Contest 2026.
E ndërsa janë zbuluar emrat e këngëtarëve pjesëmarrës në Festivalin e fundvitit, VoxNews ka zbuluar emrat e dy prezantuesve.
Ata do të jenë Arilena Ara dhe Salsano Rrapi. Duke qenë se festivali synon një “erë rinie”, Arilena Ara është simboli më i mirë i kësaj nisme. Në këtë mënyrë, këngëtarja rikthehet edhe njëherë në Festivalin që fitoi në 2019, këtë herë me detyrën e prezantimit.
Ndërsa Salsano Rrapi, përveç mjeshtërisë në prezantim, do t’i sjellë festivalit edhe atmosferë humori, ku veç emocioneve të këngëve, nuk do mungojnë edhe të qeshurat.
Arilena Ara dhe Salsano Rrapi një dyshe tejet interesante!
Ndërkohë, Komisioni Përzgjedhës i Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, me Drejtore Artistike artisten Elhaida Dani, ka shpallur zyrtarisht elistën e artistëve që do të ngjiten në skenën magjike të këtij edicioni.
Këtë vit janë përzgjedhur 28 artistë, mes të cilëve spikasin emra të njohur të muzikës shqiptare, rikthime të rëndësishme të artistëve që kanë lënë gjurmë në muzikën moderne, por edhe zëra të rinj që do të prekin për herë të parë skenën e Festivalit si një trampolinë e vërtetë për të nisur ngjitjen në karrierën e tyre muzikore.
Mes emrave që do të garojnë këtë vit është këngëtarja shumë e dashur nga Kosova, Fifi, e cila në këtë edicion vjen në duet me Tiri Gjocin. Po ashtu, në listë gjendet edhe Alis, i cili në Festivalin e 63-të u vlerësua me vendin e tretë me këngën “Mjegull”. Një tjetër rikthim është ai i artistit Vedat Ademi.
Në garë do të jenë edhe Evi Reçi, Sheila, Kamela Islamaj, Gerta Mahmutaj, Erik Lloshi, Enxhi Nasufi dhe Gresa Gjocera, ndërsa në këtë edicion rikthehen gjithashtu Lorenc Hasrama, Luna Çausholli dhe Kleansa Susaj. Grupi “2 Farm”, pjesëmarrës në Festivalin e 61-të, është një tjetër rikthim.
Përveç artistëve të njohur, Festivali do të mirëpresë edhe emra të rinj që garojnë për herë të parë. Një prej tyre është Egzon Pireci, me origjinë nga Prizreni, i cili e ka nisur rrugëtimin artistik që në moshë të vogël. Në Festivalin e Këngës garon edhe Inis Neziri, një tjetër emër i njohur për publikun.
Gjithashtu emra të tjerë që do të bëhen pjesë e këtij edicioni janë Threex, Sihana Haxhnikaj, Savjana Vjerdha, Sara Kapo, Rigersa Loka, Rezarta Smaja, Malvina Likaj, Kimi, Ghiti, si edhe Endri Kaçaçi. Ndërkohë, surpriza e këtij edicioni është pjesëmarrja e aktorit të njohur Erand Sojli, që këtë herë do të ngjitet në skenë si këngëtar.




















