Sulmi amerikan i kryer gjatë së shtunës në Karakas, që çoi në arrestimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro, është rezultat i katër muajve akuzash të ndërsjella, kërcënimesh dhe presioni në rritje mes Uashingtonit dhe Karakasit.

“Nicolas Maduro është kreu i një regjimi që financohet nga trafiku i drogës” dhe “Donald Trump dëshiron të pushtojë Venezuelën për të marrë naftën tonë” ishin dy narrativa, krejt të kundërta, që shoqëruan për muaj me radhë përplasjen mes SHBA-së dhe Venezuelës, e cila kulmoi me bastisjen amerikane në Karakas dhe arrestimin e presidentit venezuelian.

Numërimi mbrapsht i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara të Donald Trump dhe qeverisë së Nicolas Maduro nisi në shtator të vitit të kaluar.

Më 1 shtator 2025, Venezuela akuzoi SHBA-në se po përgatiste një pushtim, duke deklaruar se “4.200 ushtarë amerikanë janë gati të hyjnë në vend”. Pentagoni reagoi duke sqaruar se dislokimi detar në Karaibe ishte pjesë e operacioneve kundër karteleve të drogës dhe për sigurinë detare.

Një ditë më pas, dronë amerikanë shkatërruan një mjet lundrues të dyshuar për trafik droge. Dy të mbijetuar, të cilët muaj më vonë u raportua se kishin mbetur të kapur pas mbetjeve të anijes, u vranë në një sulm të dytë, pavarësisht se ishin dorëzuar.

Ky ishte fillimi i një serie operacionesh ushtarake në Karaibe dhe në Paqësorin lindor, që sipas Karakasit çuan në vdekjen e më shumë se 100 personave, për të cilët SHBA nuk publikoi kurrë identitete apo prova konkrete për përfshirje në trafikun e drogës. Qeveria venezueliane akuzoi Uashingtonin për “politikë imperialiste”, ndërsa Trump e quajti Maduron “kriminel” dhe “kreu i kartelit të drogës”.

Ndaj liderit venezuelian ishte vendosur prej kohësh edhe një shpërblim prej 50 milionë dollarësh nga CIA. Në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit, Venezuela iu drejtua disa herë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kërkuar debat për “kërcënimet në rritje” nga SHBA dhe duke paralajmëruar se prania e anijeve amerikane rrezikonte paqen rajonale.

Më 10 tetor, Komiteti Norvegjez i Nobelit i dha Çmimin Nobel për Paqen kryetares së opozitës, Maria Corina Machado, çka u konsiderua një goditje politike për Maduron. Katër ditë më vonë, Trump njoftoi vrasjen e gjashtë personave të tjerë të cilësuar si narkotrafikantë në një tjetër operacion në Karaibe.

Më 7 nëntor, OKB deklaroi se sulmet amerikane përbënin “shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, por Uashingtoni nuk reagoi. Më 15 nëntor, Karakasi deklaroi se priste “një sulm amerikan nga momenti në moment”, duke u bërë thirrje qytetarëve të përgatiteshin, një lëvizje që u interpretua edhe si përpjekje për të forcuar autoritetin e brendshëm të Maduro-s.

Në fund të nëntorit, mediat amerikane raportuan manovra të mëdha ushtarake të SHBA-ve në ujërat ndërkombëtare përballë Venezuelës, përfshirë edhe mbërritjen e aeroplanmbajtëses USS Gerald Ford, më e madhja në botë. Sulmi dukej gjithnjë e më i afërt.

Dhjetori shënoi përshpejtimin e krizës. Më 1 dhjetor, Trump kryesoi një mbledhje të njësisë së krizës në Shtëpinë e Bardhë dhe i dha Maduron afat deri më 5 dhjetor për t’u larguar nga vendi. Më pas dolën në dritë kërkesat e Maduro-s për 200 milionë dollarë dhe imunitet për veten, familjen dhe rrethin e tij, kërkesa që Trump i refuzoi.

Më 16 dhjetor, SHBA urdhëroi bllokadë detare ndaj cisternave të naftës të lidhura me Venezuelën, duke sekuestruar dy prej tyre. Rusia akuzoi SHBA-në në OKB se po sillej “si një kauboj”. Në prag të Krishtlindjeve, Trump deklaroi në një intervistë se CIA kishte goditur një mol portual venezuelian, pa konfirmim zyrtar nga Karakasi.

Në natën e Vitit të Ri, Maduro sinjalizoi se ishte i hapur për negociata, përfshirë bashkëpunimin kundër trafikut të drogës dhe rikthimin e kompanive amerikane të naftës. Ai akuzoi SHBA-në se po përdorte luftën kundër drogës si justifikim për ndryshim regjimi dhe për të marrë kontrollin e naftës.

Sipas disa burimeve, objektivi real u konfirmua edhe nga shefja e stafit të Trump, Susie Wiles, në një intervistë për Vanity Fair. Pavarësisht skepticizmit të opinionit publik amerikan, presioni nga industria e naftës dhe Pentagoni u rrit, deri në operacionin ushtarak që çoi në arrestimin e Maduros./LaRepubblica