Nga Hermes Kafexhiu

Franc Kafka do të ishte sot një shkrimtar i panevojshëm. Realiteti shqiptar e ka tejkaluar fantazinë e tij me një lehtësi shqetësuese. “Procesi” i vjetër do të dukej si një tregim modest mbi burokracinë, ndërsa “Procesi 2” do të ishte një manual bashkëkohor mbi mënyrën se si burgu shndërrohet nga masë sigurie në formë qeverisjeje.

Mbase do ishte një botim i zgjeruar, ballkanik, me shënime nga SPAK-u, ku do të kishte si protagonist jo Josef K.-në anonim, por kryetarin e Bashkisë më të madhe të vendit i izoluar si shkak i një letre anonime.

I zhdukur nga zyra pa u zhdukur nga funksioni, i dënuar pa u dënuar, i izoluar pa u gjykuar.

Në këtë version modern, burgu nuk është më mjet sigurimi, por instrument administrimi. Një zgjidhje e shpejtë për probleme komplekse. Një mënyrë elegante për të mos u marrë me pyetje të sikletshme si rreziku real, proporcionaliteti apo interesi publik. Këto janë pyetje që ngadalësojnë procesin, ndërsa paraburgimi e përshpejton heshtjen.

Një kryebashkiak në detyrë nuk përbën më një fakt politik, por një detaj procedural. Heqja e tij nga qarkullimi trajtohet si formalitet, jo si ndërhyrje brutale në vullnetin e zgjedhësve. Qyteti mbetet pa drejtues, por sistemi mbetet i qetë. Qetësia e sistemit, në “Procesin 2”, është vlerë më e lartë se çdo interes publik.

Në këtë narrativë, barra e provës nuk i takon më shtetit. Shteti ka kaluar në një fazë më të avancuar, ai nuk shpjegon, por presupozon. Presupozon rrezik. Presupozon faj. Presupozon se koha në burg është gjithmonë e justifikuar, derisa dikush të arrijë ta provojë të kundërtën. Sa më shumë përpiqesh ta provosh, aq më shumë forcon dyshimin.

E drejta për t’u mbrojtur, në këtë logjikë, është paradoksale. Ajo ekziston në letër, por në praktikë funksionon si rrethanë rënduese. Nëse mbrohesh fort, do të thotë se ke çfarë të fshehësh. Nëse përdor mjete ligjore, do të thotë se po “ndikon”. Nëse përpiqesh të ndërkombëtarizosh çështjen, atëherë ke kaluar vijën e padukshme të tolerancës institucionale.

Ky nuk është më absurd kafkian. Ky është racionalizim autoritar.

Ndërsa ky mekanizëm funksionon pa zhurmë brenda vendit, diku jashtë bie një alarm. Një sinjal evropian që flet për paraburgim të tepërt, për mungesë rishikimi, për shndërrimin e masës së përkohshme në gjendje të përhershme. Një thirrje për të rishikuar politikat, jo rastet. Por alarmet, siç dihet, janë bezdi. Ato nuk rrëzojnë sisteme, vetëm prishin rehatinë.

Ligji, ndërkohë, vazhdon të citohet me korrektësi. Ai flet për afate, për rrezik konkret, për balancë. E në “Procesin 2”, ligji është më shumë dekor se kufi. Një tekst që shërben për legjitimitet moral, jo për vetëpërmbajtje pushteti.

Ky proces nuk ka kulm dramatik. Nuk ka as fund. Ka vetëm vazhdimësi. Ka vetëm zgjatje të masës, zgjatje të heshtjes, zgjatje të një ideje të rrezikshme: se liria është privilegj që duhet fituar, jo e drejtë që duhet respektuar.

Ndoshta këtu Franc Kafka do të mbyllte dorëshkrimin. Jo sepse historia përfundon, por sepse sistemi tashmë shkruan vetë. Çdo ditë. Me vendime të thata dhe me arsyetime që nuk kanë më nevojë të bindin askënd.

Në “Procesin 2”, drejtësia nuk ka më ambicie të ketë të drejtë.
I mjafton të zgjasë.

Koha mund të japi të drejtën, por humbja e kohës shton padrejtësinë.