Shqipëria pritet të jetë një nga vendet me rritjen më të shpejtë të PBB-së për frymë në botë në vitet e ardhshme. Sipas një analize të publikuar nga Visual Capitalist, bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, vendi renditet i gjashti në nivel global për periudhën 2026-2030.
Sipas projeksioneve, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri pritet të rritet me rreth 32.1% gjatë kësaj periudhe. Ky tregues përdoret për të matur nivelin e jetesës, pasi tregon sa të ardhura prodhon ekonomia për çdo banor.
Në krye të listës renditet Moldavia, e ndjekur nga Guajana dhe Turkmenistani, ndërsa në rajon bien në sy edhe Serbia dhe Armenia. Lista dominohet nga vende në zhvillim, veçanërisht në Europën Lindore dhe Juglindore.
Sipas publikimit, rritja e shpejtë në këto vende lidhet kryesisht me investimet, zhvillimin e sektorëve kyç dhe përpjekjet për t’u afruar me standardet e Bashkimit Europian.
Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky trend.
Në rastin e Shqipërisë, disa faktorë duket se po e shtyjnë këtë rritje. Turizmi ka njohur një zgjerim të fortë vitet e fundit dhe po sjell më shumë të ardhura në ekonomi. Po ashtu, investimet e huaja në energji, ndërtim dhe infrastrukturë kanë rritur aktivitetin ekonomik.
Megjithatë, duhet pasur parasysh një fakt i rëndësishëm: Shqipëria nis nga një nivel më i ulët i të ardhurave për frymë krahasuar me vendet më të zhvilluara. Kjo do të thotë se është më e lehtë të arrihen norma të larta rritjeje në përqindje.
Po ashtu, emigracioni mund të një rol që shpesh anashkalohet. Largimi i popullsisë e ul numrin e banorëve dhe, në mënyrë automatike, rrit GDP-në për frymë, edhe nëse ekonomia nuk është rritur në të njëjtën masë.





















