Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, deklaroi se është ende shumë herët për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, duke theksuar se ato lidhen drejtpërdrejtë me shkeljet e të drejtave të njeriut nga regjimi në Teheran.

Duke folur në Berlin, ajo nënvizoi se çdo lehtësim i masave ndëshkuese kërkon ndryshim të thellë në sjelljen e autoriteteve iraniane.

“Ne mendojmë se heqja e sanksioneve është shumë herët, sepse ka një arsye pse ato janë vendosur ndaj Iranit. Kjo lidhet me sjelljen e regjimit ndaj popullsisë së vet, me shtypjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të grave. Duhet të shohim një ndryshim thelbësor në Iran përpara se të flasim për heqjen e sanksioneve”, tha Von Der Leyen.

Nga ana tjetët , kancelari gjerman Friedrich Merz kritikoi ashpër qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj konfliktit me Iranin, duke vëne në pikëpyetje mungesën e një strategjie të qartë.

“Amerikanët qartazi nuk kanë një strategji dhe problemi me konflikte të tilla është se nuk mjafton të hysh në to, por duhet edhe të dish si të dalësh. Nuk shoh aktualisht se çfarë rruge strategjike po ndjekin, ndërkohë që Irani po vepron me shumë aftësi në këtë situatë”, tha Merz.

Merz paralajmëroi gjithashtu për pasojat ekonomike të përshkallëzimit të konfliktit, duke theksuar ndikimin negativ që ai ka mbi ekonominë europiane.

“Ky konflikt po na kushton shumë. Po rëndon mbi taksapaguesit dhe ekonominë tonë. Lufta kundër Iranit ka një efekt të drejtpërdrejtë negativ dhe duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi kancelari gjerman.

Autoritetet europiane kanë ofruar mbështetje për garantimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të energjisë, por theksojnë se përparimi në negociata mbetet kusht thelbësor për çdo ndërhyrje të mëtejshme.