Një ngjarje e rëndë kriminale është zbardhur nga Policia e Gjirokastrës, pas konfliktit të ndodhur mbrëmjen e 21 prillit 2026 në Memaliaj, ku një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, kanë vijuar hetimet intensive për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Nga veprimet hetimore rezulton se konflikti ka nisur mes disa shtetasve, duke përshkallëzuar në përdorimin e armëve të zjarrit. Gjatë përplasjes, shtetasi E. G. ka qëlluar me armë në drejtim të shtetasit D. N., 25 vjeç, i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Më pas, dyshohet se dy vëllezër të këtij të fundit, shtetasit D. N., 29 vjeç dhe M. N., 28 vjeç, kanë hapur zjarr ndaj E. G., i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën gjatë transportimit drejt spitalit.
Policia ka arrestuar dy shtetas, D. N. dhe A. K., si dhe ka proceduar penalisht E. M., për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dy vëllezërit e dyshuar si autorë të vrasjes.
Po ashtu, nën hetim janë vendosur edhe dy shtetas të tjerë, për deklarata të rreme para prokurorit dhe kanosje.
Të gjitha palët e përfshira rezultojnë të kenë qenë pjesë e një konflikti të çastit, i cili ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Në vendngjarje janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, municion luftarak, dy automjete, dy motomjete, katër celularë dhe prova të tjera materiale që pritet t’i shërbejnë hetimit.
Policia vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.




















