Nga Luan Guri

Protesta është një nga instrumentet më të rëndësishme të demokracisë. Ajo i kujton pushtetit se asnjë vendim nuk është përtej debatit publik dhe se qytetarët kanë të drejtë të kundërshtojnë, të kërkojnë shpjegime dhe të mobilizohen për atë që besojnë.

Por demokracia nuk matet vetëm nga e drejta për të protestuar. Matet edhe nga mënyra se si protestohet.

Një protestë fiton forcë kur arrin të bindë. Humb forcë kur synon vetëm të demonizojë.

Në javët e fundit kemi parë një fenomen shqetësues. Një pjesë e retorikës që dëgjohet në protesta nuk ka më lidhje me mjedisin, me zhvillimin urban apo me shqetësimet konkrete që shërbyen si shkëndijë e mobilizimit. Në vend të argumentit, dëgjojmë etiketime. Në vend të debatit, dëgjojmë armiq.

“Burg, burg”, “vdekje tradhtarëve”, “media është zëri i qeverisë”, “SPAK është zëri i qeverisë”, “çohu nga kafja”, “poshtë patronazhistët”, “poshtë komunizmi”.

Problemi nuk është vetëm përmbajtja e këtyre thirrjeve. Problemi është logjika që ato krijojnë.

Sipas kësaj logjike, kush nuk është në protestë është i fjetur. Kush nuk mendon si protesta është i shitur. Kush punon në media është propagandist. Kush voton ndryshe është patronazhist. Kush nuk bashkohet me thirrjet është tradhtar.

Në këtë mënyrë, protesta pushon së qeni hapësirë bindjeje dhe kthehet në hapësirë përjashtimi.

Një demokraci e shëndetshme nuk ndërtohet mbi ndarjen e shoqërisë në “të pastër” dhe “të korruptuar”, në “patriotë” dhe “tradhtarë”, në “qytetarë të vërtetë” dhe “qytetarë të rremë”.

Po aq problematik është fakti që sulmohen institucione të ndryshme njëkohësisht dhe pa dallim. Media quhet e kapur. SPAK-u quhet i kapur. Institucionet quhen të kapura. Kushdo që nuk bie dakord quhet i kapur.

Në fund mbetet vetëm protesta si burimi i vetëm i së vërtetës.

Por demokracia nuk funksionon kështu.

Në demokraci askush nuk ka monopolin e së vërtetës. As qeveria. As opozita. Dhe as protesta.

Një tjetër paradoks është se ndërsa protestat pretendojnë të flasin në emër të popullit, shpesh shfaqin intolerancë ndaj vetë qytetarëve të tjerë.

Të pish një kafe, të vazhdosh jetën tënde, të mos jesh në shesh, nuk është akt tradhtie. Është po aq e drejtë demokratike sa të protestosh.

Një shoqëri e lirë mbron njëkohësisht të drejtën për të dalë në protestë dhe të drejtën për të mos dalë.

Por ka edhe një aspekt tjetër që meriton reflektim.

Protesta është një mjet i çmuar demokratik. Pikërisht për këtë arsye, forca morale e protestës nuk matet vetëm nga energjia që mobilizon, por edhe nga mënyra se si e ushtron këtë të drejtë në raport me liritë dhe të drejtat e të tjerëve.

Kur bllokohen rrugë për orë të tëra, kur paralizohet lëvizja e një qyteti të tërë, kur mijëra qytetarë që nuk marrin pjesë në protestë pengohen të shkojnë në punë, në shtëpi, në spital apo në aktivitetet e tyre të zakonshme, lind një pyetje legjitime: deri ku shtrihet e drejta për të protestuar dhe ku fillon e drejta e të tjerëve për të jetuar normalisht?

Qyteti nuk u përket vetëm atyre që protestojnë. U përket (ndjesë por në masë shumë më të madhe) atyre që punojnë, lëvizin, kujdesen për familjet e tyre, pinë një kafe apo thjesht zgjedhin të mos jenë pjesë e protestës.

Demokracia nuk kërkon që të gjithë të jenë në shesh; kërkon që të gjithë të jenë të lirë të zgjedhin.

Një kauzë qytetare fiton kur bind qytetin.

Kur fillon ta mbajë peng atë, rrezikon të humbasë pikërisht forcën morale që e bëri të besueshme.

Ndoshta pyetja më e rëndësishme sot nuk është nëse protesta ka të drejtë apo jo. Pyetja është nëse protesta po mbetet ende besnike ndaj kauzës që e lindi.

Sepse historia e lëvizjeve qytetare na mëson se në fillim është gjithmonë kauza që krijon protestën. Por jo rrallë, me kalimin e kohës, protesta fillon të bëhet më e rëndësishme se vetë kauza.

Kur ndodh kjo, pyetjet fillojnë të shihen si tradhti, nuancat si dobësi dhe çdo mendim ndryshe si rreshtim me armikun. Argumenti humbet terren përballë besnikërisë. Bindja zëvendësohet nga mobilizimi.

Dhe pikërisht aty fillon rreziku.

Jo sepse qytetarët protestojnë. Protesta është e drejtë dhe e nevojshme.

Por sepse kauza rrezikon të humbasë vendin e saj përballë nevojës për të mbajtur gjallë protestën.

Protestat që lënë gjurmë janë ato që arrijnë të ndërtojnë shumicë morale përmes argumentit. Jo ato që kërkojnë uniformitet mendimi. Jo ato që shpallin armiq kudo. Jo ato që e konsiderojnë çdo mendim ndryshe si tradhti.

Nëse një protestë dëshiron të ndryshojë vendin, duhet të bindë vendin.

Dhe askush nuk bindet duke u fyer, duke u etiketuar apo duke u përjashtuar.

Kauzat e forta nuk kanë nevojë për armiq imagjinarë. Kanë nevojë për argumenta bindës.

Në mungesë të tyre, kjo protestë, e ka humbur kauzën.