Nga Endri Kajsiu/

Albin Kurti fitoi sepse, në sytë e shumicës së qytetarëve të Kosovës, ai mbetet një lider i pakorruptuar. Ai triumfoi në zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa blerë vota, pa përdorur grupe kriminale dhe pa u mbështetur te “të fortët” lokalë, të cilët prej vitesh pas lufte kishin shoqëruar politikën kosovare. Në një shoqëri të lodhur nga korrupsioni, ndershmëria mbetet një vlerë e rrallë.
Përballë tij qëndronte një opozitë e fragmentuar, e paorganizuar dhe pa forcë bindëse, e cila – pavarësisht investimeve infrastrukturore të së kaluarës – la pas një shije të hidhur keqmenaxhimi. Investimet harrohen, por korrupsioni jo. Mes një lidershipi që mund të mos ketë prodhuar ende mrekulli ekonomike dhe një klase politike që perceptohet si e korruptuar, zgjedhja e shumicës ishte e qartë: më mirë i varfër sesa i vjedhur.
Kjo logjikë i dha Albin Kurtit një fitore të fortë elektorale dhe një mandat të plotë qeverisës. Por pikërisht këtu fillon prova e tij e vërtetë.

Ndershmëria personale nuk mjafton

Të jesh vetë i ndershëm nuk do të thotë automatikisht të qeverisësh në mënyrë të ndershme. Ky virtyt nuk transmetohet mekanikisht nga kryeministri te ministrat e tij. Ndershmërinë ose e ke në gjen, ose nuk e ke; ajo nuk fitohet rrugës. Nuk ekziston asnjë qeveri në botë plotësisht imune ndaj korrupsionit, aq më pak në një shtet me institucione ende të brishta si Kosova. Në këtë mandat, Kurti duhet të tregojë se ndershmëria e tij personale përkthehet në institucione funksionale, transparente dhe të mbrojtura nga kapja politike.
Disa shenja problematike brenda kabinetit të tij kanë dëshmuar se rreziku ekziston. Prandaj, masat antikorrupsion duhet të jenë më sistematike dhe pa përjashtime, përpara se praktikat e vjetra të normalizohen nën petkun e ri.

Nga lider moral në lider
gjithëpërfshirës

Në këtë mandat, Kurti duhet të dalë nga roli i liderit protestues dhe të shndërrohet në një lider gjithëpërfshirës. Ai duhet ta bashkojë Kosovën dhe ta shohë opozitën jo si armik, por si pjesë legjitime të pluralizmit shtetëror. Pa dialog dhe kompromis të brendshëm politik, rreziku i bllokimeve institucionale mbetet gjithmonë prezent.
Po ashtu, Kryeministri duhet të reflektojë mbi raportet me Shqipërinë. Pjesëmarrja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021 në Shqipëri ishte një eksperiment që dëmtoi narrativën e bashkëpunimit vëllazëror. Askush nuk i kërkon të bëhet “patericë” e Tiranës zyrtare, por ta shohësh Tiranën si qendrën e kombit është detyrim identitar. Njëkohësisht, ndikimi mbi faktorët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut duhet të jetë unifikues dhe jo përçarës. Shqiptarët në rajon kanë nevojë për një busull të përbashkët orientimi, jo për vija të reja ndarëse.

Më pak populizëm, më shumë shtet

Kurti duhet të reduktojë dozat e populizmit. Retorika mobilizuese ka kufijtë e saj dhe zhvillimi ekonomik nuk ndërtohet me slogane. Prioritet duhet të jenë ekonomia reale, investimet strategjike dhe forcimi i shtetit ligjor.
Në politikën e jashtme, Kosova nuk e ka luksin e izolimit. Rikthimi i marrëdhënieve të ngushta me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian është jetik. Me dialogun me Serbinë ende të pazgjidhur dhe mungesën e ulëses në OKB, aleatët perëndimorë nuk janë thjesht partnerë, por garantues të ekzistencës sonë shtetërore.
Një shans historik
Kosova ka nevojë për ushtri moderne, ekonomi konkurruese dhe integrim euroatlantik. Këto objektiva janë më të arritshme për një lider që gëzon një kapital të madh moral si Albin Kurti. Por ky besim nuk është i pakufishëm.
Nëse ai arrin të tejkalojë natyrën e tij opozitare, të pranojë kompromiset e mëdha në interes të shtetit dhe të shohë përtej ciklit elektoral, Kurti mund të shndërrohet në figurën unifikuese të epokës së tij – një model i ri i shtetarit që i duhet Kosovës sot.
Në fund, suksesi ose dështimi varet nga vetë ai. Koha do ta tregojë nëse ky mandat do të mbetet thjesht një “kulm moral” i izoluar, apo do të shërbejë si pika e kthesës historike për shtetin e Kosovës.