Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, e cilësoi vendimin e administratës Trump për të pezulluar vizat emigruese edhe për shqiptarët, një vendim që lë një shije të keqe dhe duket sikur shqiptarër përfitojnë nga paratë e taksapaguesve amerikanë. Zogaj solli rastin e shumë shqiptarëve që punojnë disa punë në SHBA dhe se nuk duhet të numërohen vetëm ata që përfitojnë, por edhe ata që punojnë.
“Është vendim që lë shije të keqe për ne, por është një vendim që lidhet me një raport që u botua para pak ditësh, raport ku pasqyrohej përqindja e emigrantëve sipas shteteve, që marrin suplemente, kompensim dhe në atë listë të gjatë vendesh, që politika e Presidentit Trump, konsideron sikur po i marrin pjesën Amerikës, ose po hanë qyl, ishin edhe Kosova edhe Shqipëria. Kosova në 46% dhe 41% e shqiptarëve.
Ata që janë aty, do të vijojnë të jenë aty.
Vendimi ndalon të tjerët të shkojnë. Për mendimin tim, mendoj se është ekzagjeruar rasti për shqiptarët. Kam njohur me dhjetëra njerëz që punojnë tre punë, dy punë, drobiten. Po të shihet, nëse shihet sa taksa paguhen, duhet të numërohen edhe ata që punojnë.
Të merret informacion sa taksa paguajnë shqiptarët atje në SHBA.
Po të jap një shembull. Kam miq, një familje ku tre vëllezër punojnë në ndërtim, paguhen rreth 120 mijë dollarë në vit. Babai i tyre, personazh tipik i kategorisë që thuhet se i ka rënë në qafë Amerikës, por aty është ligji që imponon të të japë një kompensim, që të shkosh te minimum jetik, pra babai i tyre merr 11-12 mijë dollarë në vit, por ata paguajnë taksat.
Tani këtu ka një keqkuptim të madh, shërbimi mjekësor falas, është një e drejtë e qytetarëve, nuk mund të diskriminohesh se je shqiptar, apo somalez.
E treta, që më lë përshtypje jo të mirë, Amerika është shtet i formuar nga emigrantët, është shtet i emigrantëve.
Nuk e di si do të shkojë puna kur të mungojë krahu i punës në Amerikë. Por të mos përhapim panik, nuk janë hequr viza turizmi”- tha Zogaj.




















