Tiranë, 2 Prill – Partia Socialiste e Tiranës ka vijuar procesin e riorganizimit të strukturave në kryeqytet, këtë herë në Lagjen 14 dhe Njësinë Kashar, ku në Asamblenë e zhvilluar u theksua nevoja për një organizim më efikas në terren, rritje të komunikimit me qytetarët dhe përfshirje më të gjerë të të rinjve, grave dhe vajzave.
Në takim morën pjesë Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama, Drejtuesja Politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu si dhe drejtuesit politikë të Kasharit dhe Lagjes 14: Blendi Gonxhja, Plarent Ndreca dhe Endrit Hoxha.
Kryeministri Edi Rama theksoi se diskutimi nuk duhet të kufizohet vetëm në çështjet lokale, por të shtrihet edhe në çështje që lidhen me zhvillimin e përgjithshëm të vendit:
“Unë po vij vetë për të folur për gjëra që nuk janë thjesht çështje të brendshme, por edhe çështje që kanë të bëjnë me punët e Shqipërisë në tërësi, që janë punë që kanë lidhje me njëra-tjetrën: ekonomia, çmimi i naftës, energjia, pagat dhe për këtë arsye krijuam këto 34 blloqe, shtuam numrin e deputetëve që merren në Tiranë me partinë, morëm edhe të rinj që të ketë prezencë në të gjitha organizatat.”
Ndërsa Drejtuesja Politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu, u ndal te rëndësia e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe nevoja për të ndarë me ta rezultatet konkrete të qeverisjes:
“Ajo që është parësore dhe për ne është e një rëndësie vërtet të madhe, është komunikimi me njerëzit. Për të folur për punët për Tiranën, për punët për Shqipërinë, çfarë kemi bërë dhe çfarë po bëjmë. Pensionet po rriten dhe do të vijojnë të rriten çdo vit. Pagat janë rritur për mësuesit, për mjekët, për infermierët, për punonjësit e Policisë së Shtetit. Edhe vendimet e fundit në raport me mbështetjen për nënat që kujdesen për fëmijët me aftësi të veçanta, fëmijët me çrregullime të spektrit autik, dhe të gjitha këto politika duhen thënë.”
Ky takim në Kashar është në vazhdën e asambleve që synojnë të forcojnë strukturat e Partisë Socialiste në çdo nivel dhe të rrisin kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët.




















