Meqënëse Orienti është tema e ditës sot për shumë njerëz që lexojnë lajme, po shkëpus një histori interesante që bën fjalë për shqiptarët e Orientit. Diku në fillimet e viteve 2000, qëllova në një darkë të veçantë në Gjenevë. Personi që më kishte ftuar, ndër të tjerë, më prezantoi me djalin e Mbretit Faruk të Egjiptit, Fuadin II, Khediv të Egjiptit dhe sundimtar të Sudanit (në letra sigurisht).
Pasi shkëmbyem fjalët e mirësjelljes së rastit, i thashë me shumë kënaqësi që edhe unë jam shqiptar si Lartësia e Tij. Më shikoi pak shtrembër dhe më tha se ai ishte egjiptian dhe jo shqiptar.
Për momentin ngela, pasi kisha në kokë imazhin që familja mbretërore e Egjiptit e kishte për krenari faktin që ishin shqiptarë. Por ja ku kisha përballë djalin e Farukut të famshëm, nipin e Fuadit po aq te famshem dhe pinjollin e lidhjes direkte me gjakun e Mehmet Aliut, i cili as që donte të shprehej se paraardhësit e tij të lavdishëm vinin nga Shqipëria. ( nga Kavalla ne te vertete)
Gjatë darkës, me shumë takt që të mos e ofendoja, e hodha bisedën mbi faktin që gjyshi i tij Fuadi i parë ishte vetë ofruar për fronin e Shqipërisë gjatë periudhës së pas Luftës së Parë Botërore. Si dhe faktin që babai i tij Faruku kishte pasur lidhje shumë të ngushta me Mbretin Zog. Po kështu, babai i tij kishte pasur truprojën më të ngushtë shqiptare, një fakt ky shumë pak i njohur. Sigurisht që duhej t’i dinte të gjitha këto, por gjatë darkës ishte mjaft mospërfillës ndaj rrëfimeve të prejardhjes shqiptare. Dukej se e bezdiste ky fakt, aq më shumë që në tavolinë ishin edhe disa emra familjesh të rëndësishme.
Kur e pyeta për Teqenë e Kajgusuz Ballem Sulltanit në Fortesën e Kajros, mu duk më i gjallë dhe tregoi se kishte dëgjuar që kjo teqe kishte qenë në mbrojtje të familjes së tyre dhe se, me largimin në ekzil, egjiptianët e kishin mbyllur si një lloj hakmarrjeje për lidhjet e ngushta të Teqes me khediët e Egjiptit.
Fuadi i Dytë jetonte midis Gjenevës dhe Monakos. Nuk e kuptova se me çfarë merrej, por më tha se e kishin lejuar të vizitonte Egjiptin, ku kishte ende disa prona. Kur e pyeta për historinë e monedhës prej ari të quajtur “Monedha e Farukut”, që ishte shitur në ankand për 29 milion USD, buzëqeshi dhe u çudit që e dija historinë e asaj monedhe.
Nuk e ngava më tej bisedën. Më erdhi keq që pinjolli i Mehmet Aliut të famshëm, që theu në beteja trupat franceze të Napoleonit dhe të Perandorisë Britanike, duke krijuar Egjiptin modern si një shembull të tolerancës fetare, racore dhe prosperitetit ekonomik, nuk kishte interes për prejardhjen e tij.
Kam shfletuar shumë për këtë shqiptar gjenial, i cili nga hiçi krijoi një perandori aq të famshme. Njeriu që theu franko-britanikët, shfarosi mamlukët, ndaloi islamin ekstrem të vahabizmit duke thyer arabët në disa beteja. Djemtë e tij ishin protagonistë të pushtimeve në Sudan, hapjes së Kanalit të Suezit, zbulimit të burimeve të Nilit, Statujës së Lirisë që sot gjendet në New York dhe porositësit e operës së famshme të Xhuzepe Verdit, “Aida”, që u shfaq me aq madhështi në Kajro në 1871.
Por, përkundër këtyre arritjeve të jashtëzakonshme për një njeri dhe një dinasti që erdhi nga një familje tregtarësh të duhanit nga Kavalla, ardhur nga jugu i Shqipërisë, thellë-thellë më ka habitur një fakt i shkruar në disa paragrafë të librit me kujtime të një prej eksploratorëve më të mëdhenj europianë, i cili, i mbështetur nga khediët e Egjiptit, ndërmori ekspeditën për zbulimet e Nilit:
Sir Richard Burton.
Burton, i cili jetoi për disa kohë në Kajro dhe u miqësua me disa nga komandantët ushtarakë të qytetit, shkruan se “ata (komandantët) shqiptarë të ashpër, kur dilnin në qytet, rrihnin me shkop këdo që e cilësonin si prishës të qetësisë”. Kaq të ashpër ishin sa i kishin futur tmerrin Kajros. Pasi kishin masakruar mamlukët në Fortesën e Kajros, qyteti ishte në duart e tyre dhe Mehmet Aliu, komandant i trupave shqiptare, me forcën e armëve detyroi hoxhallarët e Kajros ta shpallnin atë Vali (guvernator), titull i cili erdhi nga Stambolli me qëllim mbajtjen e rregullit në këtë provincë osmane.
Me konsolidimin e pushtetit, Mehmet Aliu, i cili erdhi në pushtet me mbështetjen e shqiptarëve të tij, të cilët tashmë ishin zotër të Kajros dhe provincës së Egjiptit, mblodhi agallarët shqiptarë dhe, pasi i mbushi me dhurata, u kërkoi të ktheheshin në shtëpi.
Me shumë mundësi, Mehmet Aliu, një mendje gjeniale, e dinte mirë se me shqiptarët nëpër këmbë do ta kishte të vështirë të qeveriste Egjiptin. Kush vendosi të qëndronte, pranoi sundimin e tij, agallarët e tjerë, që nuk e përtypnin dot komandën e një të barabarti, vendosën të largoheshin. Omer Vrioni, një prej tyre, i cili hyri në shërbim të Ali Pashës në Janinë.
Me kalimin e kohës, Mehmet Aliu e kuptoi se me udhëheqës shqiptarë të pavarur, të fortë dhe shpesh të pabindur, nuk mund të ndërtonte një shtet të unifikuar dhe të centralizuar. Prandaj ai zgjodhi të shkëputej gradualisht nga kjo bazë ushtarake fillestare dhe të krijonte një strukturë të re pushteti, më të disiplinuar dhe më të varur nga shteti që po formësohej. Në këtë mënyrë, ai hodhi themelet e një Egjipti modern, ku besnikëria personale u zëvendësua nga një administratë dhe ushtri shtetërore e centralizuar.
Vepra e Horace Vernier
Më poshtë është një vepër e rrallë mbretërore e dedikuar Mehmet Aliut të Egjiptit, e realizuar nga piktori francez Horace Vernet. E punuar në mëndafsh, ky qilim që varet në mur u ble nga Napoleoni III pasi u ekspozua në “Ekspozitën e Madhe” në Paris.
Perandori ia dhuroi këtë vepër Mbretëreshës Viktoria dhe, prej asaj dite, ajo gjendet në Koleksionin Mbretëror Britanik.
Vepra paraqet Mehmet Aliun të ulur duke pirë duhan, gjatë asaj që njihet si “Masakra e Mamlukëve”, ku ai eliminoi klasën sunduese të Egjiptit, duke marrë plotësisht pushtetin në vend dhe duke qeverisur si sundimtar i pavarur.




















