Asnjë tifoz nga Bregu i Fildishtë nuk do të udhëtojë për të mbështetur kombëtaren e tij në Kupën e Botës, për shkak të problemeve me vizat dhe kufizimeve të udhëtimit në Shtetet e Bashkuara.

Lajmi është konfirmuar nga presidenti i Komitetit Kombëtar të Mbështetësve të “Elefantëve”, Julien Kouadio Adonis, i cili deklaroi se tifozët janë detyruar të heqin dorë nga udhëtimi pasi autoritetet amerikane nuk kanë lehtësuar hyrjen e tyre në vend.

“Është një situatë shumë e dhimbshme, pasi na pengon të kryejmë misionin tonë kryesor, që është mbështetja e ekipit kombëtar. Do të kishim dashur të përfaqësonim edhe kulturën tonë në tribuna”, u shpreh ai.

Organizata e tifozëve kishte planifikuar të dërgonte rreth 500 mbështetës në SHBA, ashtu siç kishte bërë në pjesëmarrjet e mëparshme të Bregut të Fildishtë në Kupat e Botës të viteve 2006, 2010 dhe 2014, si edhe në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Megjithatë, në stadiume do të jenë të pranishëm vetëm disa zyrtarë të autorizuar, të cilët do të koordinojnë mbështetjen e komunitetit të tifozëve nga Bregu i Fildishtë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Situata ka shkaktuar zhgënjim te tifozët afrikanë, të cilët do të mungojnë për herë të parë në një aktivitet kaq të rëndësishëm ndërkombëtar.