Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj ka qenë sot në studion e News24 për të folur për konferencën e donatorëve që u zhvillua një ditë më parë dhe mblodhi 1.15 mld euro për rindërtimin në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit dhe. Ahmetaj tha në rubrikën “Opinion” se ajo që ndodhi ishte përtej pritshmërive duke i lënë meritat personalisht kryeministrit Edi Rama. Ai tha se shifra e mbledhur është besim ndaj qeverisë.
“Ajo që ndodhi dje ishte përtej pritshmërive. Ishte një ditë e kultivuar nga BE dhe nga ana e miqve tanë që nga 27 nëntori dhe në vazhdim është një punë e kultiviuar për të ardhur në një ditë si ajo dje. Reflektoi gjithë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar. Unë e besoj që është një faqe e re në historinë e Shqipërisë dhe në historinë e Ballkanit perëndimor për qasjen që kanë me Shqipërinë.
Komuniteti ndërkombëtar e përdori 17 shkurtin për t’i dhënë një shpresë shumë të madhe Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe për solidaritet me vendin. Në të njëjtën kohë shifra është besim ndaj qeverisë. Nuk të jep as grant, as kredi asnjë në qoftë se ti nuk je i besueshëm. Kryeministri, qeveria është institucion i besueshëm. për kom europian, për BE, për vendet anëtarë dhe gjithë vendet e tjera që dhanë qoftë grante, qoftë kredi të buta me interesa shumë të favorshme”, deklaroi Ahmetaj. I pyetur se cili shtet apo donacion ishte surprizë, Ahmetaj tha se ishin Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Banka Islamike.
“Komisioni nuk ishte surprizë sepse KE ishte lokomotiva. Pritej që të ishte donatori i parë në formën e grantit. Emiratet e Bashkuara Arabe ishin një surprizë shumë e këndshme. Patjetër që kontaktet kanë qenë të thella të vazhdueshme me princin e kurorës por nuk e prisnim të ishte ai donacion me 2 mijë banesa, qoftë apartamente, qoftë shtëpi individuale. Surprizë ishte dhe Banka Islamike me 365 mln dollarë të ofruara në kredi të buta. Raporti mes grantit dhe kredisë është shumë dinjitoz. Po kolaudohet shifra. Ato janë angazhime zyrtare por kolaudohet shifra. Është 1.15 mld, 300 mln janë grante, dhurim. Të gjitha shtetet kanë bërë donacione në formën e grantit, kush më pak e kush më shumë”, u shpreh Ahmetaj, raporton “BalkanWeb”. Sa i përket Francës, ministri tha se ishte një suport dinjitoz dhe se qëndrimi i Macron ka ndryshuar në raport me Shqipërinë për shkak të reformave por edhe instrumentit të ri të adaptuar nga BE për zgjerimin.
“Jo nuk ishte surprizë dhe po ka një domethënie. Nuk ishte surprizë sepse ne kemi qenë në diskutim me Francën, 60 plus 1 janë pjesë e rindërtimit dhe instrumenti financiar 100 milionë ka kohë që diskutohet, do përdoret në zhvillimin ekonomik. 60+1 ishte jo surprizë por një suport shumë dinjitoz, i rëndësishëm nga ana e Francës. Dhe po ka kuptim, ju e keni parë qëndrimin e Macron. Ka ndryshuar në themel. Ndryshimi vjen për dy arsye, reformat që bën qeveria shqiptare dhe instrumenti i ri që ka bërë BE është përqafuar nga Komisioni dhe e bën të lehtë qasjen e re për hapjen e negociatave. Nuk po them u hapën negociatat se duhet të jemi të maturuar por është pozitive”, deklaroi ai, shkruan “BalkanWeb”. Ai tha se kjo shifër e mbledhur nuk ka firo gjatë rrugës por do kohën e vetë të thithjes.
“Në eksperiencën e shumë vendeve kjo shifër nuk ka firo dhe ka kohën e vet të absorvimit. Në kohë mund të ketë instrumente financiare që nuk duhen por jo, nuk ka firo. Ne filluam që sot punën. Ajo që duhet të bënte gjithë komuniteti ndërkombëtar u bë dje, nuk ishte surprizë që uau, ishte përtej pritshmërisë. Puna është bërë mitikuloze, pra punë milingone çdo ditë. Nuk ishte ajo shifër që pritej, pritej diku më pak por nuk ishte surprizë mbështetja. Reflektoi punën e bërë, punën bërë nga kryeministri. Nuk kam nevojë që të promovoj që të them kryeministri, kryeministri por duhet ta themi. Suksesi i vishet atij personalisht për këmbënguljen dhe punën e përditshme. Patjetër dhe të strukturave qeveritare. Më duhet ta them por le ta marrin si të duan, dhe për servilizëm që nuk kam është puna mitikuloze e tij që në datën 26 dhe nuk kam frenim për ta thënë”, theksoi Ahmetaj.