Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Sarandë, ka inspektuar punimet në Lungomaren e re në këtë qytet, ku ka thënë se puna vazhdon duke rritur numrin e të punësuarve.

Fillimi i portit turistik dhe kthimi i atij gjiri të braktisur në një gji ku mund të ankorohen disa qindra jahte, sipas Ramës do të bëjë që ekonomia të rritet përsëri. “Këtu ka patur 4000 persona të punësuar. Puna vazhdon ska mbaruar, larg së qëni e mbaruar, flas për të gjithën por fillimi i portit turistik mbrapa dhe kthimi i atij gjiri të braktisur në një gji ku mund të ankorohen disa qindra jahte do të bëjë që ekonomia të rritet përsëri.

Vetëm nga parkimi i jahteve këtu do të ketë një komunitet të ri të huajsh, janë ata që do të rrinë bashkë me jahtet të shumëpaguar bashkë me pronarët e jahteve dhe do rrinë këtu”, tha Rama.

Ndërsa u pyet se çfarë duhet bërë më mirë në fshatrat e Sarandës, Rama tha se pavarësisht punës së bërë deri më tani ka nevojë për më shumë investime dhe këtu u ndal te infrastruktura rrugore.

“Ka shumë fshatra në Shqipëri dhe në Sarandë që janë pa rrugën. Ëshë e rëndësishme që çdo hap dhe investim ta bëjmë në funksion të gjenerimit.Gjithë plani ynë për infrastrukturën është bazuar te kjo që të krijojmë lidhje aty ku potenciali i të ardhurave është më i madh. Gjithmonë duhet të kemi parasysh se nuk kemi mundësi ti bëjmë të gjitha përnjëherë”, shtoi ai.