Më poshtë do të gjeni profilet telegrafike të drejtuesve politikë të LSi në 12 qarqet e vendit, hartuar me burime dhe konsultën e njohësve të zhvillimeve të brendshme në ‘partinë e Metës’.
Tiranë – Petrit Vasili Në LSI e konsiderojnë si ‘furçën më të madhe në arsenalin e furçave të Ilir Metës’. Vasili mbetet zëri kryesor në ison polifonike që i këndohet Ilir Metës për ‘burrëri, besë e trimëri’. Gjatë kohës si ministër Shëndetësie mbahet mend fort për tenderin e shkurtimit të çarçafëve nga 2 në 1.6 metra duke i lënë me këmbë jashtë pacientët e spitaleve shtetërore shqiptare.
Gjithashtu, thonë burime me njohje në sektorin e Shëndetësisë, Vasili nxori jashtë qarkullimit disa nga barnat me të mira në tregun farmaceutik dhe monopolizoi tregun në favor të disa afaristëve pranë partisë. Në rrafsh politik nuk është electoral, por e mban në qarkullim vetëm lidhja njëkalimëshe me Metën. Vasalitet që e ka transefruar edhe te kryetarja e re e partisë, Kryemadhi.
Në funksion të dyshes, ai pranoi të luajë rolin e kryetarit sezonal të LSI. Besimin te Kryemadhi ia forcon edhe armiqësia e hapur me kushëririn e tij, Edi Rama. Si një personazh i filmave të Kinostudios së vjetër, Robert Çamçakëzi, edhe sekretari i Përgjithshëm i LSI, sorollatet me dorë në xhep dhe një Toscanello në buzë.
Elbasan – Monika Kryemadhi Monika duket se është përzgjedhja fatale e Metës, që mund të rezultojë në një mallkim perpetual, në varësi të rezultatit të 25 prillit. Burime në LSI thonë se, shumë bashkëpunëtorë i janë larguar Metës për shkak të Monikës.
Njohësit e komunikimit e cilësojnë si të paartikular, gjë që ilustrohet te përshëndetja mbyllëse e saj ‘Zoti ju rujtt!”. Me natyrë hakmarrëse dhe konfliktuale, veprimtarët e LSI ia atribuojnë asaj largimet dhe mosmarrëveshjet në parti pas ikjes së Metës. E dashur prej atyre militantëve hard core të LSI, që kanë frikë për një arsye a një tjetër, ndërkohë që përtej këtij kontigjenti mbetet e dyshuar. Në LSI ajo luan rolin e ’policit të keq’ përballë ‘policit të mirë’ që është bashkëshorti i saj Meta.
Fier – Kejdi Mehmetaj Hyri në LSI si e zgjuara, e zhdërvjellëta, e freskëta dhe e bukura, por ka pësuar një modifikim gjenetik vitet e fundit nga jeta partiake. Si një shartim mes një zhgabe dhe një pëllumbi ajo mbeti ‘vajza besnike’ e Metës, më shumë se e Monikës. Erdhi në partinë e madhe nga transheja e LRI. E llastuara e LSI, duke qenë ende studente u bë deputete dhe mori rol edhe në daljet publike të partisë.
Vlorë – Luan Rama Mëkëmbësi i Fatos Nanos në LSI. Edhe kur flet ngjan si ish-kryeministri socialist. Tingëllimi i Luan Ramës si shëmbëlltyrë e Nanos i ka krijuar Metës një hije ambiguiteti dhe dyshimi ndaj tij, ndoshta edhe për shkak të historisë së përplasjeve me të, apo nga ndonjë kompleks inferioriteti. Dërgimi i tij në Vlorë shihet si lëvizje për ta djegur.
Lezha – Agron Tusha (I panjohur)
Shkodër – Agron Çela Një biznesmen shumë i fuqishëm në Shkodër, me lidhje të gjithanëshme, jo vetëm në LSI. Ka influencë në qytetin e tij, por ashtu si edhe Tavo i Gjirokastrës duket se i trembet një largimi nga streha e Metës dhe Kryemadhit.
Durrës – Elona Guri Personi më i besuar i Monika Kryemadhit, të cilën ia huazoi Iliri që ta mbante ajo nën kontroll, sipas burimeve të sigurta në LSI. Ajo vigjëlonte në paradhomën e Metës në ministrinë e Jashtme dhe në Kuvend, dhe u bë personi më i besuar i familjes politike dhe biologjike Meta. I atribuohet dijenia mbi çdo gossip që qarkullon në qarqet politike dhe sociale të Tiranës.
Erdhi në LSI nga qarqet e Skraparit të lidhura me ish-kryetarin Meta dhe që dominojnë në LSI. U dërgua në Durrës si personi më i besuar për të kompensuar ikjen e Lefter Kokës. Nuk është marrë asnjëherë më parë me fushatë dhe i mungojnë kapacitetet elektorale, të cilat me sa duket i kompenson me besimin nga Familja.
Bahri Shaqiri Ish-shefi i Shërbimit sekret iu bashkua Metës në presidencë si këshilltar për Sigurinë. Njihet si profesionist dhe besnik, por i pakuptimtë kandidimi i tij në Shijak, gjë që duket më shumë si pranimi i një nderi që i ka kërkuar Meta. Kjo lidhet gjithashtu me përforcimin e Durrësit pas ikjes së Kokës dhe një sfide të Metës për të mos e humbur vendin e deputetit në këtë qark. Kur Berisha donte ta hiqte para disa kohësh ishte ndërhyrja e amerikanëve, por edhe këmbëngulja e Metës që ia ruajti postin e shefit të SHISH-it.
Berat – Ardit Çela Një nga të rinjtë më prominentë dhe premutes të LRI që në fillimet mund të kishte qenë edhe lideri i të rinjve të LSI, por ndoshta zgjuarsia e tij përbënte problem për ‘pronarësinë’ e partisë. Nuk ishte mjaftueshëm idiot për t’u besuar nga krerët.
Me ambicje të mëdha dhe një nga më të talentuarit në LSI. Lidershipi I LRI diskutohej mes Brahimllarit dhe Kejdit Mehmetajt, kur i takonte Çelës i cili humbi pikërisht se nuk ishte gati të komandohej deri në fund. Ai ka qenë drejtor i Postës Shqiptare dhe iku prej andej i ndjekur nga disa dyshime. I lidhur me klanin Hysnebelliu, ku edhe përfundoi si drejtor i gazetës Panorama pas ikjes nga detyra shtetërore.
Gjirokastër -Vangjel Tavo Grek i zgjuar që ka kaq kohë që don të largohet nga LSI. Eshtë gjithmonë në kërkim të shtegut për t’u shmangur, por nuk ka grumbulluar guximin e mjaftueshëm për ta bërë. Njihet si njeri babaxhan dhe korrekt dhe shumë punëtor. Garanci për mandatin e LSI në Gjirokastër. Personazh me emër të respektuar në Gjirokastër, sidomos në zonat minoritare.
Dibër Hajri Laçi (I panjohur)
Korçë – Endrit Brahimllari Në LSI e konsiderojnë ‘Idiot të dobishëm’. Erdhi në LSI nga LRI. Bën sikur është i gjithëgjendshëm në terren, por njihet më shumë për intriga dhe vjen nga ‘zona operative’ e ish-kryetarit. Meta i dha shumë besim, sidomos gjatë 2016. (Politiko.al)