Në fjalën e mbajtur në Peqin kryeministri Edi Rama premtoi investime për ta futur vendin në Ligën Europiane të Turizmit. Po ashtu kreu i qeverisë u shpreh se Peqini dhe Elbasani nuk mund të kthehen më pas te Dash Sula, apo te Basha, Berisha, Meta dhe Kryemadhi.
“Ne kemi një sfidë të madhe, që të realizojmë një fitore shembullore, kuptimplotë, që të jetë rezultat i këtij shiu paralajmërues të kthyer në breshër në kutitë e votimit. Janë momentin kur ne vendosim si duam të ecim nesër, të ngjitemi edhe pse me vështirësi, apo të kthemi prapa.
Nuk mund të ndodhë që Peqini dhe Elbasani të kthehen prapë te Dash Sula! A mund të kthehesh prapë te Dash Sula pash zotin?! Është e pamundur, por nuk mund të kthehesh prapë as të Luli, as te Saliu, as te Likja as te Mona. Dallimi është shumë i qartë, ata e duan Shqipërinë për vete, ne e duam njëri-tjetrin për Shqipërinë”, tha Rama.
“Besoj që Peqini në këto zgjedhje ka një mundësi që se ka pasur ndonjëherë. Sepse Peqini në këto zgjedhje do çoj dy çuna të vetët në Parlament, jo një. Dhe nga ana tjetër nuk dua që tju mbaj gjatë në shi, por dua vetëm tju them që jam shumë i vetëdijshëm që për Peqinin ka shumë gjëra për të bëra.
Të gjithë ata që merren me tokën e kanë ndjerë mbështetjen tonë, dhe janë çliruar nga barra e shpenzimeve. Ju keni dëgjuar që unë kam folur për planin e madh për transformimin e Shqipërisë për ndërtimin e 4 aeroporteve dhe 4 porteve të reja turistike, që do sjellin shumë më tepër turistë nga e gjithë bota.
Ta fusim në Ligën Europiane të turizmit. Do thoni ju ku hyn Peqini këtu? Do bëjmë që edhe Peqini të përfshihet në hartën e udhëtimeve të turizmit. Sepse Peqini ka një kala fantastike, e cila duke u restauruar, do të sjellë jo vetëm shumë njerëz por edhe shumë të ardhura”, vijoi kryeministri.