Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi vizitën e tij të parë në Francë të mërkurën. Prioriteti i tij diplomatik është ta marrë njohjen nga Serbia, të cilën Beogradi gjithmonë e ka refuzuar që nga lufta.
Gjatë vizitës së tij në Paris, Kurti ka dhënë një intervistë për prestigjiozen franceze “Le Monde”. Ndër të tjera ai ka thënë se është vetëm një çështje diskutimi mes tij dhe Vuçiçit.
Kurti ka thënë se Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe të demokratizohet.
Kurti është ish-aktivist i krahut politik të guerilës kosovare, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK). U mbajt në Serbi për dy vjet në kohën e luftës në Kosovë. Ai më pas e krijoi lëvizjen Vetëvendosje, me një program revolucionar dhe u bë një kundërshtar i vendosur i qeverive të njëpasnjëshme të komandantëve të UÇK-së. Albin Kurti paraqitet sot si një socialdemokrat dhe u zgjodh si kryeministër me një program për ta luftuar papunësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar, shkruan Le Monde.
Le Monde: Sapo e keni takuar për herë të parë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Bruksel. Cila ishte përshtypja juaj?
Kurti: Ky është takimi i parë për një dialog në të ardhmen. Nuk ishte i lehtë, por konstruktiv. Kam insistuar që asgjë të mos fshihet nën tepih, pra që çështja e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohet me sinqeritet. Të gjithëve na duhet kjo njohje reciproke. Z. Vuçiç u përgjigj duke thënë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Mospranimi i realitetit në njërën anë, apo e vërteta në anën tjetër, vijnë nga e njëjta logjikë. Serbia duhet të distancohet nga ditët e [Slobodan] Millosheviqit, i cili nisi aparteid dhe përfundoi me gjenocid në Kosovë. Liderët e Serbisë duhet të ndahen nga trashëgimia e Millosheviçit.