Kryeministri Edi Rama ishte sot në Luz, të Fushë Krujës ku inspektoi shkollën e re 9-vjeçare “Gjon Luka”, e cila pas rindërtimit është tashmë me kushte dhe ambiente dinjitoze për nxënësit njësoj si në shkollat e Bashkimit Europian.
Gjatë inspektimit, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, u shpreh se, “kjo është një nga shkollat që po i dorëzohet Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë së Durrësit. Praktikisht është një nga nga shkollat e rindërtuara plotësisht “Gjon Luka” në Luz. Janë 160 nxënës, 130 në ciklin 9-vjeçar dhe 30 parashkollorë”.
“Ministria e Arsimit dhe bashkitë do të marrin një fond në vazhdimësi mbi 160 shkolla, 167 të reja, shumica të rindërtuara dhe një pjesë të rikonstruktuara”, theksoi Ahmetaj.
Ndërsa Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi theksoi se, “shkolla i plotëson të gjitha standardet për të qenë edhe një shkollë qendër komunitare. Ndërkohë mësuesit kanë dalë të gjithë në punë që ditën e hënë për të përgatitur edhe mësimin plotësues që do të jetë gjatë gjithë muajit shtator, deri në datën 27 kur fillon edhe viti i ri shkollor”.
“Përveç mësimit plotësues është përgatitur edhe një program aktivitetesh sportive, kulturore, në mënyrë që nxënësit të jenë sa më të aktivizuar gjatë kësaj periudhe”, theksoi Kushi.
Ajo nënvizoi se, “shkolla i ka të gjitha kushtet, terrenet sportive, laboratorët, bibliotekën”.
Kushi shtoi se, “këtë vit, risi do të jetë edhe gjuha angleze që në klasën e parë”.
“Ndërkohë këtë vit tekste falas do të përfitojnë edhe klasat e 8-a dhe të 9-a, duke e plotësuar kështu të gjithë ciklin e arsimit bazë me tekste falas. Në total janë 280 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë që do të përfitojnë tekste falas, jo vetëm në arsimin bazë, por edhe disa kategori të veçanta nga arsimi i mesëm i lartë. Janë 16 kategori, që nga nxënësit në nevojë, me aftësi ndryshe etj”, u shpreh Kushi.
Ndërkohë, nënvizoi Kushi, “për vitin e ardhshëm ne kemi parashikuar që që nga klasa e parë deri në të tretën, librat të jenë vetëm njëpërdorimësh. Deri tani kemi vetëm klasën e parë që librat janë çdo vit të reja, ndërsa pjesa tjetër e arsimit bazë librat përdoren edhe nga brezi tjetër. Qëllimi nuk është vetëm për të kursye para, por për t’i edukuar nxënësit të mirëmbajnë librat. Ndërkohë që nga klasa e parë në të tretë, meqenëse ka shënime në libra, ne do ta bëjmë të jenë njëpërdorimësh”.
Kryeministri Rama u shpreh se, “librat që kalojnë nga një dorë në tjetrën janë edhe në Francë dhe në Suedi”.