Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë degjësës për buxhetin 2022 në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë tha se do të financohet spitali Memorial Rajonal Fier me një fond shtesë, për t’i hapur rrugë një modeli të ri të autonomisë spitalore.
“Do të financojmë spitalin Memorial në Fier, duke garantuar ofrimin e shërbimeve terciare për më shumë se 330 mijë banorëve të zonës së jugut. Por gjithashtu sipas sistemit të referimit edhe për të gjithë qytetarët e tjerë të cilët kanë nevojë që të marrin shërbime të nivelit terciar në këtë spital”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha në fjalën e saj se buxheti për programin e kujdesit spitalor do të jetë 31 miliard e 763 milionë lekë për të mbështetur garantimin për mbulimin falas të disa paketave mjekësore por edhe shërbimeve të ndryshme në sistemin tonë spitalor.
Programi i kujdesit spitalor do të ketë një buxhet prej 31 miliard e 763 milionë lekë pa përfshirë këtu kontributet e sigurimeve shoqërore të cilat në vitin 2022 planifikohet të jenë 15 miliard lekë. Me buxhetin 2022 do të garantohet mbulimi 100% falas i paketave mjekësore, duke përfshirë dializën, transplantin e veshkave, të gjithë paketën e kardiologjisë dhe kardiokirugjisë, të radioterapisë, kataraktit, për mbi 15 mijë pacientë në vit.
Do të vijojë fuqizimi i spitaleve universitare, rajonale, bashkiake me aparatura mjekësore, pajisje biomjekësore të teknoligjisë së avancuar”, tha Manastiliu.
Duke folur për shërbimin laboratorik, Manastirliu bëri me dije se do të sigurohet mbulimi i shërbimeve të diagnostikës laboratorike në çdo spital universitar, rajonal dhe dy spitalet bashkiake, me një volum prej mbi 4.6 milionë analiza laboratorike në vit të çertifikuara sipas standardeve ndërkombëtare.
Ndërsa sa i takon programit të sterilizimit në shërbimin spitalor. “Do të garantojmë mbulimin e mbi 64 mijë ndërhyrjeve kirurgjikale në vit në sistemin spitalor publik nëpërmjet shërbimit të integruar të sterilizimit dhe instrumentave kirurgjikale”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se Programi i Shërbimit Kombëtar të Urgjencës do të vijojë të mbështesë punën e Qendrës Kombëtare të Urgjecnës Mjekësore për të garantuar menaxhimin e mbi 130 mijë thirrjeve dhe misioneve në vit nga ky program.