Nga Ylli Pata/ Ilir Meta, ka folur për herë të parë pas shumë kohësh, por nuk ka hapur “Kutinë e Pandorës”. Duket se e ka lënë për një herë të dytë.
Por edhe pse ka folur pak, Meta, ka shpallur vdekjen e LSI-së, natyrisht pa dhënë dëshminë e “mjekut ligjor” por ka folur si baba real i saj, të paktën, që nga sot njerëzit duhet t’i shkojnë për ngushëllime.
Megjithatë, Ilir Meta, nuk ka hapur derën e mortit, e në një farë mënyre ka vepruar si një burrë që humb gruan, e të nesërmen i telefonon Aldos së Klanit për të kërkuar një njohje, duke dhënë edhe identikitin.
“I përkas popullit të 2 marsit” tha Presidenti, duke e konsideruar LSI-në të shkrirë si projekt.
Po kush është “populli i 2 marsit” që aq shumë flet Meta, e që njerëzit e konsiderojnë meme, por që në fakt nuk është e tillë për personin që e nxjerr nga goja. Që për politikë është mjeshtër, jo një diletant.
“Populli i 2 marsit”, nëse njerëzit e mbajnë mend, janë njerëzit që u mbodhën përballë Presidencës në 2020-n, pak ditë para shpërthimit të pandemisë së Covid-19, ku Ilir Meta u betua se do ta rrëzojë Edi Ramën. Në krah nuk kishte asnjë politikan të LSI-së, e në plate kishte një masë njerëzish të sjellë nga Partia Demokratike. Që kishin ardhur me grafik të qartë organizativ siç ndodhte me mitingjet e PD-së.
“Popullin e 2 marsit”, Ilir Meta e ka përmendur gjatë, madje aq shumë sa e ka bërë bajat. Por në zgjedhjet e 25 prillit, ky popull as e vrau fare për Presidentin, edhe pse ky i fundit kishte shtruar dreka e darka të bollshme e të ujshme me pjesëtar të këtij populli, ku kënduan e vallëzuan, madje edhe në rrjet.
Në fund, “Populli i 2 Marsit” votoi PD-në. Janë 250 mijë vetat e këtij “populli” që u kthyen në shtëpi, e i dhanë votat Bashës e jo LSI-së.
Por sot në rastin e Foltores, ku po flitet gjithnjë e më shumë për një parti Meta-Berisha, deklarata e Metës, më shumë se një dashuri për militantët radikal të Doktorit të shpallurit Non Grata nga SHBA, është një reagim politik i qartë.
Që tashmë për Metën, njerëzit e tij nuk janë anëtarët e mbështetësit e LSI-së që e ka themeluar në 2004, e për të cilën tha se është “krenar”, por ata që erdhën në 2 mars në ditën më të vështirë të tij. Kur nuk e bënë mbështetësit e LSI-së. Siç realisht ndodhi edhe në zgjedhjet e vitit 2017, kur atij i shkuan 250 mijë votues.
Më 25 prill LSI mori rreth 100 mijë vota, por Meta nuk duket se i qëndron afër këtre 100 mijëve, por 150 mijëve që e tradhëtuan për PD-në. Por që bashkë me Berishën edhe mund të rriten…