Zv.kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj së bashku me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali zhvilluan sot një takim me ministren e Republikës Federale të Gjermanisë për Evropën dhe Klimën, Anna Lührmann.

Në një reagim pas takimit, ministrja Spiropali shprehu, “falënderime të veçanta për vizionin e qeverisë së re gjermane, drejtuar nga kancelari Olaf Scholz, konfirmim për sovranitetin e Evropës në themel të politikës së jashtme të vendit, duke mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”.

“Vëmendje të posaçme gjatë takimit me ministren Lührmann pati edhe biseda për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe kontributin e jashtëzakonshëm të kancelares Angela Merkel në intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale dhe nxitjen e procesit të integrimit”, theksoi Spiropali.

“Mbajtja e Konferencës së Parë Qeveritare BE-Shqipëri, do të shënonte një nivel të ri të angazhimit tonë, cilësisht nxitës për konsolidimin e arritjeve, një pritshmëri legjitime në kuadër të progresit vijues dhe rrugës së pandalshme europeiste të Shqipërisë”, tha Spiropali.