Pas Shkodrës, kryeministri i vendit Edi Rama ka mbyllur fushatën e PS-së edhe në Durrës, atje ku u prit nga një numër i lartë qytetarësh. Fjalën e tij, ai e nisi duke falenderuar ekipin e Partisë Socialiste jo vetëm për bashkinë Durrës, por edhe në Krujë e Shijak.

“Jam edhe deputet i Durrësit, por më besoni që është dhe privilegj të jem pjesë e kësaj historie të PS në Durrës sepse këto fitore njëra pas tjetrës nuk kanë ardhur kot, as lehtë, por kanë ardhur për të shpërblyer një punë të bërë duke i dhënë besim jo një personi, por një skuadre. Në Durrës kemi fatin të kemi një skuadër të jashtzakonshme të PS, dua t’u bëj një përshëndetje patronazhistëve të frikshëm të Durrësit dhe gjithë zgjedhësve dhe padiskutim, e lashë për në fund, por jo nga rëndësia, kryetares së bashkisë së Durrësit e cila ka cilësinë e paparë që t’i fshehë më mirë emocionet se kushdo tjetër që unë kam parë në jetën politike. Por nuk e harrova as kryetarin e bashkisë së Shijakut dhe as legjendën tonë të bashkisë së Krujës sepse qenka një grup ultras nga Kruja që paska ardh…sepse realisht ashtu si në Durrës, në Krujë dhe Shijak është bërë një punë e jashtëzakonshme. Ne hyjmë në një fazë tjetër, vërtetë janë 3 bashki, por është e domosdoshmë që të ndërveprojnë prej ofertës turistike.” Durrësin, kryesocialisti e cilësoi pikë lidhëse të rajonit dhe lokomotivë të transformimit ekonomik për vendin.

“Jam i bindur që Durrësi është lokomotiva e tranformimit ekonomik, të Republikës së Shqipërisë. Durrësi është kthyer në qendrën e gravitetit të një hapi tjetër, të një kapitulli tjetër sepse më në fund pas shumë përpjekjësh është vendosur baza dhe ndërkohë janë lidhur gjërat bashkë, me portin e ri, hekurudhën e re. Bëhet një pikë lidhëse për të gjithë hapësirën e rajonit tonë dhe do të rikthehet në historinë e largët, historia e asaj porte kryesore që romakët e përdornin për të hyrë dhe për t’u shtrire në territore të tjera. Pas këtij takimi ne do shkojmë te Amfiteatri dhe do bëjmë lançimin e fazës së tjetër. Durrësi ishte pasqyra e anës tjetër të Adriatikut dhe duke u dhënë jetë projekteve të mëdha që janë plane që kanë nisur të zbatohen, ne do t’u japim jetë dhe do të vëmë në lëvizje motorë të rinj me shumë më tepër kuaj fuqi dhe do krijojmë një hapësirë krejt të re për punësim cilësor. Padiskutim që do t’i japim jetë një historie krejt të re tregtie të Shqipërisë si një nyje lidhëse dhe Shqipëria do përfitojë padiskutim.”

Rama bëri thirrje që të Dielën, qytetarët të votojnë Emirjana Sakon, Artur Bushin dhe Elton Arbanën. Ai u shpreh me bindje për një fitore të thellë të kryebashkiakes aktuale të Durrësit ndaj kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara. “Për të gjitha këto na duhet me patjetër jo vetëm që të shkojmë përpara, por një mbështetje shumë e madhe dhe një bashkëpunim i ngushtë mes qeverisë e bashkisë së Durrësit, Shijakut, Krujës. Dhe në këtë moment është shumë e rëndësishme që qytetarët durrsakë, edhe ata që janë rreshtuar në një kamp tjetër politik, atyre u bëj thirrje të votojnë për Anin ditën e dielë, për Turin, Tonin. Vota nuk është për të ndarë kush është më i fortë, por për të mbajtur në punë njerëzit e duhur, për t’i shërbyer këtij projekti të madh transformimi, që është dhe arsyeja pse jam shumë i pranishëm në Durrës.

Mijëra e mijëra e mijëra vota diferencë mes Emirjana Sakos dhe atij që nuk po e zëmë fare në gojë se i dimë të gjitha dhe me këtë pamje kaq të bukur që duket si hapja më e bukur e sezonit turistik. Unë jam i bindur që ditën e Dielë do shikohet shumë më qartë se edhe pala tjetër e pakicës do t’i braktisë në kërkim të diçkaje tjetër. Nuk po them se do të futen të PS-së larg qoftë se pastaj do më detyroni të shkoj ta drejtoj unë PD, me këto pamje në Durrës ju them gjithë atyre që hezitojnë të vijnë me ne apo jo, shiheni, ka lezet! Njerëz të lirë, që kanë ardhur për kënaqësi.”