Turistët po vazhdojnë të vijnë. Me gjithë mbylljen e fundin e verës, në rrugët e Tiranës, bregdet e veri të vendit nuk mungojnë të huajt. Isabella dhe Mateo janë dy prej tyre.
“Jam nga Madridi. Zgjodhëm shtatorin që të vijmë pasi është më qetë. Nuk kam shumë dëshirë të udhëtoj kur ka shumë njerëz. Jam bashkë me të fejuarin tim dhe planifikojmë të vizitojmë këto ditë edhe veriun e vendit, për të cilin kemi dëgjuar fjalë shumë të mira”, shprehet Isabella.
“Bumi” i ardhjeve këtë vit duket se po ndihmon në tërheqjen e turistëve jashtë sezonit.
“Këtë vit kemi një trend rritës për sa i përket turizmit jashtë sezonal. Kemi zgjatje të fillimit dhe fundit të sezonit turistik veror”, tregon operatori Frenklin Prengaj.
Megjithatë, ardhjet janë larg niveleve të qershorit, korrikut e aq më pak gushtit.
“Pjesa e jugut në këtë periudhë ka një rënie të konsiderueshme, ndërsa qendra dhe veriu ruajnë një qëndrueshmëri do të thosha”, shton Prengaj.
Ndërkohë për pushuesit shqiptarë, gushti vijon të shënjojë fundin e pushimeve.
“Ata punojnë dhe pushimet e tyre i kanë ose në korrik ose në gusht. Për ta është e pamundur të pushojnë në vjeshtë për shkak edhe të fëmijëve”, shprehet ekspertja Baba.
U deshën të paktën pesë vite që Shqipëria të krijonte profilin e një destinacioni të pëlqyer turistik, por duket se vendi duhet ende të punojë për të pasur flukse turistësh edhe jashtë sezonit veror.
“Unë mendoj se më shumë se sa zgjatjen e sezonit, ne tani duhet të diskutojmë mbushjen e tij. Pra a kemi sot ne në Rivierë, në Dhërmi apo Himarë sa gjatë gushtit tani në shtator”, shtoi Baba.
Vitin e shkuar gjatë shtatorit erdhën mbi 760 mijë turistë të huaj, duke vijuar ecurinë rritëse të vitet e fundit. Operatorët turistikë pritet që numri i të huajve që vizitojnë vendin këtë muaj të shkojë në 1 milionë.