Nga Mero Baze

Për hir të së vërtetës Fatmir Mediu e ka bërë të vetën. Ai kishte arritur të siguronte formalisht një tavolinë të rëndësishme në sallën ku do të ishte presidenti dhe senatorët, së bashku me Gjiknurin, Gazment Bardhin, Irfan Hysenbelliun dhe grupin që i shoqëronte.

Por gjithçka ka ndodhur të mërkurën në mbasdite, kur u njoftuan se ata nuk do të ulen në një sallë me amerikanët. Presidenti Biden dhe senatorët vendosën ta kalojnë mëngjesin në Capitol, ndërsa delegacioni i njerëzve nga Ballkani në hollin e hotel Hilton, nga ku mund ta ndiqnin online pamjet nga pjesëmarrja e presidentit në këtë ngjarje.

Arsyeja është bezdia që kanë krijuar për administratën e SHBA, njerëzit nga Ballkani, që fotografohen rastësisht në Uashington me politikanë të nivelit të lartë dhe i paraqesin këto në vendin e tyre si mbështetje amerikane.

Në këtë rast disa personazhe ishin shumë kontrovers. Fjala vjen, Fatmir Mediu ka postuar më shumë foto nga Uashingtoni se sa foto nga salla e gjyqit ku gjykohet nën akuzë për shpërdorim detyre për 26 të vrarë në Gërdec. Përpjekja e tij për të intimiduar Gjykatën me foto nga SHBA është e qartë dhe kjo nuk kalon pa vëmendje në SHBA, të cilët mbeten aleatët më të mëdhenj të drejtësisë së re në Shqipëri.

Po ashtu Gazment Bardhi, një mbështetës i Sali Berishës në pikën e tij më të ulët, rrezikon të paraqesë fotot me politikanë në Uashington si mbështetje e tërthortë për Sali Berishën, të cilin ata e kanë shpallur “non grata” dhe nuk kanë asnjë lëshim për gjithkënd që bashkëpunon me të.

Lista mund të jetë e gjatë dhe me persona të tjerë problematikë nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni që ishin nën patronazhin e Fatmir Mediut, një anëtar i vjetër i organizatës që qëndron pas këtij aktiviteti.

Dhe kjo bëri që ata të përfundojnë në një sallë larg politikanëve të SHBA, për të cilët ata në fakt kanë shkuar deri aty.

Nuk di nëse sponsorët do t’ia falin Mediut këtë poshtërim, por besoj se do ta kalojë lehtë. Ajo që e vë atë më shumë në siklet, është fakti që ai nuk i gënjen dot më në Uashington me foto kafeneve.

Kjo ua ka rritur vështirësinë, pasi u është dashur të përdorin aktivitetet e tjera ditore për fotografi. Meqë “Mëngjesi i Lutjeve” ka një axhendë gati tre ditore, me dreka, darka, takime dypalëshe etj, ata tani po përpiqen t’i shpëtojnë nderin Mediut duke postuar foto me politikanë të rastësishëm që takojnë në këto aktivitete.

E gjitha kjo ndoshta nuk do t’ia vlente të shkruaje, nëse nuk kuptojmë se çfarë mund t’i bëj një njeri i vetëm edhe imazhit të një vendi. Në thelb e gjitha kjo ka ndodhur prej Sali Berishës dhe për shkak të lidhjeve të organizatorit të këtij takimi për Shqipërinë dhe rajonin, Fatmir Mediut, me Sali Berishën. Për shkak të kësaj lidhje, Shqipërisë i hiqet tavolina nga vendi në sallën qendrore dhe izolohen në një sallë nga ku mund ta ndjekin aktivitetin online.

Për shkak të Berishës, Shqipërisë formalisht i hiqet tavolina nga salla qendrore, dhe mbyllet në një sallë online në Uashington. Dhe ju thoni pastaj pse është katandisur copë-copë PD për shkak të tij. Për shkak të tij dhe Shqipëria mund të poshtërohet, jo më PD!