Nga Mero Baze
Ndoshta shumë vetë nuk e dinë, por “Dita e Verës” u bë festë zyrtare prej Fatos Nanos më 2004, për t’u tallur me protestat e Berishës.
Berisha në shkurt të 2004, nisi një raund protestash nën sloganin “Nano Ik”, dhe pretendonte si gjithmonë se ishin më të mëdhatë në histori. Dhe ndërsa Berisha lodhej të numëronte njerëzit që mblidhte nga ura e Lanës deri tek Kryeministria, Nano shpalli “Ditën e Verës” më 14 mars, ditë pushimi zyrtar, dhe të nesërmen Bulevardi u mbush nga “Stacioni i Trenit” tek “Liqeni”, me qindra mijëra qytetarë të lumtur.
Edhe pse shumë cinike, u pa çdo të thotë të mbushësh Bulevardin dhe sa të “mërzitur” ishin njerëzit. Protestat nuk vazhduan më dhe Lëvizja “Nano ik” u shua nga “Dita e Verës”.
Sot historia është dhe më tragji-komike.
Revolucionin e shpallur me aq shumë bujë nga vet Berisha, e vrau vet Berisha nga nevoja jetike që ka për t’u ndjerë i përfillur nga shumica në pushtet dhe hyri në bisedime për vrasjen e revolucionit në shkëmbim të dy komisioneve hetimore.
Sapo u ra dakord në parim, Berisha u bë entuziast duke u treguar të gjithëve se më në fund u detyruan ta përfillin.
Kështu ai e mbyti revolucionin një ditë para “Ditës së Verës” dhe nuk i dha rast Erion Veliajt t’i thoshte sot ja çdo të thotë të mbushësh Bulevardin.
Ana komike është se ai do të shpallë rifillimin e revolucionit nesër, me arsyetimin se socialistët nuk ja dhanë atë që kërkoi dhe se Edi Rama është besëprerë si Lulzim Basha.
E vetmja arritje është që nuk e la revolucioni në mëshirën e “Ditës së Verës”, kur qindra mijëra qytetar festojnë pa varë mendjen për revolucion.
E ka një alibi të paktën: U thotë në datë 14 revolucioni e kishte pushim. Nesër rifillojmë.