Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurtin – njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës – për një tjetër mandat në krye të Qeverisë.

Kurti është propozuar me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë duke fituar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës – të pamjaftueshme për të formuar vetë Qeverinë.

LVV e ka marrë këtë vendim vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime për zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Masa do të jetë në fuqi nga 5-30 shtator. Ajo është kritikuar nga LVV-ja, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.

Teksa e ka propozuar Kurtin, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, i ka kritikuar dhe fajësuar partitë tjera të mëdha shqiptare për krizën institucionale.

“Sivjet e pamë përpjekjen më të rrezikshme për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor, me apo ndoshta pa vetëdije, partitë politike që e kanë shpallur veten kundërshtare të Lëvizjes Vetëvendosje qysh prej certifikimit të zgjedhjeve, janë përpjekur ta thonë vetëm një gjë, vetëm një votë më pak se 50 për qind dhe shteti mbetet pa Kuvend”.