Një shtesë pa leje në një pallat në zonën e Astirit në Tiranë është bllokuar nga IMT. Aksioni, i mbështetur nga Policia Bashkiake, erdhi pasi në pallatin e biznesmenit Sino Llanaj janë konstatuar 4 mijë metra katror pa leje, ndërsa ka nisur edhe procedura për shembjen e objektit.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sula, i cili ndoqi nga afër aksionin në Astir, deklaroi se paligjshmëria nuk ka vend në Tiranë. Ai bëri thirrje që të respektohen rregullat e ndërtimit për të shmangur penalizimet, duke paralajmëruar se do të përfshihen në “listën e zezë” të Bashkisë.

“Nëse Tirana sot është më e çliruar nga ata të cilët kishin zënë hapësira pa leje është merita e madhe e IMT, e drejtuar nga Rigers Sheqeri, dhe Policisë Bashkiake e drejtuar nga Elona. Ne nuk do të mbarojmë derisa të lirojmë çdo hapësirë pa leje dhe këto hapësira të kthehen në lulishte dhe parqe për fëmijët. Në foto jemi në një pallat në zonën e Astirit ku i është konstatuar mbi 4000m2 pa leje.”, thotë Sulaj.

Llanaj është edhe ndërtuesi i një kompleksi në zonën e ish-parkut të Autobusëve bashkë me Albert Allmuçën, por konflikti mes tyre ka lënë në qiell të hapur 120 familje. Dy ndërtuesit u konfliktuan më 13 janar 2021, sherr që përfundoi në plagosjen e Llanajt. Familjet që kanë blerë apartamentet kanë protestuar para ministrisë së Drejtësisë, pasi nuk kanë mundur që të futen në banesa prej më shumë se 10 vitesh.

Ndërhyrja vjen në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike dhe të ndërtimeve pa leje. Më 3 tetor, kryeministri Edi Rama prezantoi masat e reja për mbrojtjen e pronës dhe territorit, të cilat kanë hyrë në fuqi nëpërmjet një akti normativ. Paketa përfshin një listë të zezë për ndërtuesit pa leje dhe 5 vite përjashtim nga marrja e lejes. Në ndërtimet që tejkalohet leja në masën 2-10%, shtesa e bërë pa leje do konfiskohet për interes publik, ndërsa kur tejkalohet me 10%, do konfiskohet i gjithë ndërtimi.