Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i tha Reuters se Ukraina dhe jo Rusia, po pengon një marrëveshje të mundshme paqeje.
Retorika e Trump, bie ndesh me atë të aleatëve evropianë, të cilët vazhdimisht kanë argumentuar se Moska ka pak interes për t’i dhënë fund luftës së saj në Ukrainë.
Në një intervistë ekskluzive në Zyrën Ovale të mërkurën, Trump tha se Presidenti rus Vladimir Putin është gati të përfundojë pushtimin e tij gati katërvjeçar të Ukrainës. Por sipas Trump, Zelensky ishte më i rezervuar.
Trump deri më tani ka shmangur vendosjen e masave të reja ndëshkuese ndaj Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë. Megjithatë, ai disa herë ka shprehur shqetësimin se vendosja e sanksioneve të reja do të mund të pengonte përpjekjet e tij për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave.
Ukraina dhe SHBA-ja po punojnë në një plan paqeje me 28 pika në prag të katërvjetorit të fillimit të pushtimit nga Rusia.
Pikat kryesore të mosmarrëveshjes përfshijnë kontrollin mbi një pjesë të rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore dhe centralin bërthamor të Zaporizhjas, i cili është nën pushtimin rus.
Pengesat e tjera burojnë nga pretendimet territoriale të Rusisë, çështja e garancive të sigurisë për Ukrainën dhe kundërshtimi i armëpushimit nga Moska.




















