Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, ka zhvilluar këtë të martë një takim me homologun ukrainas, Andrii Sybiha, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë zhvillimet e fundit në Ukrainë, siguria evropiane dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se biseda me kryediplomatin ukrainas u zhvillua gjatë pritjes për fluturimin drejt angazhimeve të radhës diplomatike.

“Diplomacia nuk kufizohet vetëm në sallat formale të takimeve; ajo zhvillohet kudo, edhe gjatë pritjes për fluturimin e radhës drejt angazhimit të ardhshëm”, shkruan ministri.

Sipas tij, gjatë takimit u diskutua mbi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe mbi sfidat që lidhen me sigurinë në Evropë.

“Shqipëria ka qëndruar fuqishëm përkrah Ukrainës që nga dita e parë e agresionit brutal rus dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën me përkushtim të palëkundur, në çdo mënyrë të mundshme”, theksoi Hoxha në reagimin e tij.

Ministri bëri me dije gjithashtu se në qershor, Tirana do të mirëpresë një takim ministror kushtuar Ukrainës, në kuadër të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërkombëtar për paqen dhe sigurinë rajonale.

Në postim, Hoxha nënvizoi edhe diskutimet mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ukrainës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së ritmit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.