Këtë të martë, më 2 qershor, ministri i Drejtësisë Toni Gogu prezantoi rekomandimet për luftën kundër kriminalitetit para Prokurorit të Përgjithshëm, drejtuesit të SPAK-ut si dhe drejtuesve të prokurorive të rretheve.

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, i vlerësoi këto rekomandime.

“Dhënia e rekomandimeve nga ana e Këshillit të Ministrave është vlerësuar me seriozitet maksimal nga sistemi i prokurorisë pasion ë thelb ky përbën një mekanizëm ndërveprimi mes institucioneve në drejtim të angazhimit institucional në luftën ndaj fenomeneve kriminale. Pa këtë mekanizëm do të ishte e pamundur që të kishte një koordinim të mirë të luftës në të gjitha agjencitë ligjzbatuese, të punës së tyre në goditjen e krimit. Ndaj si çdo vit, këto rekomandime i janë përcjellë prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ashtu sikurse do të përgatiten edhe planet e veprimit përkatëse.”, tha Çela.

Më tej Çela tha se e vlerëson faktin që rekomandimet e këtij viti janë harmonizuar me nevojat që ka procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Në këtë kuptim kjo do të përbëjë një angazhim më tepër për ne, do të jetë një sfidë edhe më e madhe sepse do të duhet të përshtas planin tonë të veprimit me kërkesat që ka procesi i integrimit, edhe pse deri tani ju siguroj që prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, kanë qenë një kontribuues serioz në të gjitha hapat që lidhen me këtë proces.”, shtoi Kryeprokurori i Përgjithshëm.

Ai përmendi dhe disa arritje të realizuara nga Prokuroritë: “Ne kemi vënë si prioritet institucional prej vitesh tashmë çështje që lidhen me pastrimin e produkteve të veprave penale dhe viti 2025 ka qenë viti më i mirë që kemi pasur qëkur kjo çështje u kthye në prioritet, edhe në kuptim të procesit të integrimit por edhe të proceseve të tjera, kështu që mendoj se meriton vlerësim për arritjet nga ana e prokurorëve”.

Së dyti, Çela u ndal te Hetimi financiar dhe goditja e aseteve kriminale ku arritjet sipas tij “kanë kaluar pa u vënë re”. Sipas tij, në vitin 2024 u sekuestruan mbi 60 milionë euro dhe në 2025 mbi 40 milionë euro asete. Kjo tregon se, megjithë vështirësitë që këto prokurori kanë, sepse funksionojnë me pothuajse 50-60% të kapaciteteve, e kanë arritur këtë duke iu dhënë prioritet çështjeve më të rëndësishme.“

Sa i përket krimit kibernetik, Çela shtoi se mbetet një sfidë plotësimi i strukturave të prokurorive.

“Të krijohet mundësia dhe hapësira, për krijimin e njësive të specializuara brenda tyre për ndjekjen me profesionalizëm të krimit kibernetik.”, shtoi ai.

Në fund, sa i përket ndërveprimit institucional, Kryeprokurori i Përgjithshëm, vlerësoi frymën e bashkëpunimit që sheh në rekomandimet e prezantuara nga ana e ministrit Gogu. Megjithatë shtoi se ka potencial për përmirësim të mëtejshëm.