Në javët e para të muajit mars, në vendin tonë pritet të mbërrijnë 14 mijë doza të vaksinës AstraZeneca nga instrumenti i COVAX. Me ardhjen e tyre, do fillojë dhe vaksinimi i personave mbi 65 vjeç.

Këtë e ka konfirmuar Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila së bashku me kryeministrin Edi Rama ishin në stadiumin ‘Air Albania’.

Gjithashtu, ministrja tha se procesi i vaksinimit kapilar do të mbikëqyret dhe nga Forcat e Armatosura.

“Vijojmë vaksinimin e stafeve mjekësore. Arrijmë në mbi 13 mijë vaksinime. Jemi duke përgatitur vaksinatorët e rinj. Trajnimi do bëhet në Arenën Kombëtare. Ditën e nesërme presim 15 mijë vaksina nga Pfizer dhe brenda 10 ditëshit të parë të marsit presim dhe 14 mijë vaksina të AstraZenecës nga COVAX dhe do fillojmë nën 65 vjeç në targetin e vendosur nga ISHP” – tha Manastirliu.

Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh se gjithashtu me mbërritjen e dozave nga AstraZeneca do fillojë vaksinimi dhe për mësuesit.

“Nesër mbërrijnë 15 mijë doza të tjera Pfizer dhe brenda dy javëve të para të marsit COVAX ka konfirmuar më në fund, nisjen e furnizimit me vaksinën AstraZeneca, të cilën do ta fusim menjëherë në procesin e vaksinimit të mësuesve. Sfida është të garantojmë një sasi të konsiderueshme dhe të kemi lajme të mira shumë shpejt. Kontaktet janë të vazhdueshme, duket mirë por mos të flasim përpara kohe” – tha Rama. Ashtu siç e ka konfirmuar dhe kryeministri Rama, ditën e nesërme do të mbërrijnë 15 mijë vaksina nga Pfizer. Kujtojmë se procesi i vaksinimit ka filluar në shumë qytete të vendit ku përveç bluzave të bardha, vaksinohen dhe personat mbi 80 vjeç të cilët janë në qendra sociale si dhe stafet kujdestare të tyre.