Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha sot se rritja e PS-së në disa zona në zgjedhjet e 25 prillit është shenjë e mirë se puna vlerësohet dhe njerëzit votojnë për ata që punojnë.
Gjatë një interviste në medie, Spiropali vuri në dukje se fitorja e mandatit të 3 të Partisë Socialiste është një fitore e madhe për Shqipërinë.
“Ne kemi ngritur flamurin e Shqipërisë dhe besojmë që fitorja e PS mund të jetë një fitore e madhe për Shqipërinë. Ky mandat i tretë na duhet si mjet për të arritur objektivat më të larta. Nga rindërtimi e vaksinimi, duhet të përfundojë infrastruktura moderne e Shqipërisë, 4 aeroportet, portet, hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës. Projekte madhore për Shqipërinë që injektojnë dhe ekonominë e vendit. Vijojmë me prioritete siç është turizmi, të gjitha këto investime ndikojnë në turizëm. Ne kishim 6 milionë turistë, synimi ynë që çdo vit të kemi 10 milionë turistë dhe 3 miliardë euro të ardhura nga turizmi. Ndër të tjera synojmë të shkëpusin administratën publike nga ndikimet politike”, deklaroi Spiropali.
Më tej, ajo foli për procesin e vaksinimit.
Elisa Spiropali nënvizoi se deri në qershor, do të jenë të vaksinuar mbi 1 milion shqiptarë.
Sa i takon integrimit, Spiropali tha se jemi më afër se kurrë BE-së dhe se në qershor pritet të vendoset data e tryezës së parë ndërqeveritare.
Ministrja foli edhe për bashkëpunimin me PD-në. Sipas saj, “i kemi lënë një fletë të bardhë para dhe i kemi kërkuar të na tregojnë kushtet për bashkëpunim, pasi nga parntnerët ndërkombëtarë konsensusi politik është shumë i rëndësishëm”.
Spiropali komentoi edhe mbi kërkesën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
“Ilir Meta është i hequr. Ai ka përjashtuar veten nga të qenurit Presidenti i Republikës me sjelljen e tij të turpshme për një vend demokratik”, tha Spiropali.
Sipas saj, komisioni hetimor do të sjellë një raport dhe “ne e kemi deklaruar votën tonë”.
Sa i takon mundësisë për lënien e porpozimit të emrit të Presidentit nga opozita në rast se arrihet të shkarkohet Ilir Meta, Spiropali tha se nuk kemi komplekse në këtë drejtim.