Nga Klevis Bakillari
Përse PD përfundoi në një karakatinë që do rindërtohet, ka shumë arsye. Por të gjitha arsyet kanë një emërues të përbashkët. Ky emërues ka emër; Dhunë. Dhunë në mendim, dhunë në arsyetim, dhunë në veprim, dhunë në mosveprim,dhunë në punë! I gjithë aktiviteti politik e partiak i PD së dhjetëvjeçarit të fundit, është zhvilluar nëpërmjet ingranazheve të zhurmshme e të dhimbshme të dhunës! S’është asgje e re. Është gjithçka çka thuhet diku me kritikë dhe diku me tallje pa kripë në mediumet televizive! Dhe kjo është kultura që do duhet të zhduket në PD.
Duke parë rikonfigurimin politik që pritet të ndodh deri në 2025 dhe dominancën e PS, mund të themi që sot se opozita nuk do të ketë një kandidat për kryeministër. Për të parën herë në histori.
Në terma afatgjatë, është një etapë dhe një mundësi që PD të luftojë kulturën e dhunimit brenda vetes. Demokratët ku me hir e pahir, do duhet t’i dorëzohen Bashës,pa kushte! Nuk duket të jetë zgjidhje,por është hapi i parë drejt hapjes me ndërkombëtarët.Demokratët e turbulluar të pellgut të salikracisë, do duhet të ndahen nga deviza ‘s’ka punë pa dhunë’. Do duhet të mësojnë se reformat e financuara nga partnerët ndërkombëtarë,janë europianizim i Shqipërisë.
Dhe për këto reforma, ‘t’i fusin këmbët në një këpucë”. Për PD e ndarë përmes padyshim, bëhet më e vështirë pasi do i duhet të fusë një këmbë në dy këpucë në këtë rrugëtim!
Krijimi i mundshëm i Federatës Opozitare, e cila do të orvatet të trembë qeverinë, do të ketë brenda një togë ngjarjesh të dhimbshme të postkomunizmit tonë. Përmbajtja e Federatës vetëm sa do të mbajë gjallë reminishencën e errët të viteve 2008-20011. Megjithëse krijimi i saj është në pikëpyetje sepse dihet që ”nuk mbushet stani me lepuj”.
Nga ana tjetër, PD e Bashës nuk hynë në Federatë për shkak të përplasjes me PD tjetër për ‘sistemin e drejtësisë’. Të trysnuar prej aleatëve ndërkombëtarë; dhe borxhlinj ndaj shansit të fundit që u kanë dhënë, do të bëjnë punën e tyre në Kuvend. Do ngrejnë kartonat jeshilë dhe pastaj dy gishtat lartë saherë që futet ligj i ri për miratim. Largësia me forcat opozitare, me elektoratin revolucionar, e ka futur PD zyrtare në një gjendje intruverte, apatike, komike. Prandaj disa kanë zgjedhur të futen në ‘Federatë’ dhe disa në ‘Kërpëratë’.
Basha që ofrohet si arka e shpëtimit nga ana tjetër gjendet mes kulturës së dhunës, të dhunuarit, të mashtruesit, të mashtruarit. Sepse ka një të kaluar! Në qeverinë e djathtë me ngjarje dramatike dhe në opozitën e djathtë tragjikomike. Prandaj besueshmëria dhe mbështetja ndaj tij, janë të perkohëshme. Si vetë Ai në PD; ndoshta si vetë PD?!