Nga Jakin Marena

Praktikisht ‘beteja’ për trashëgiminë, të çfarëdolloji qoftë ajo, ka treguar se fillon menjëherë pas largimit nga kjo botë apo aktiviteti kontribues i kreut të familjes, kreut të partisë, kreut të shtetit apo dhe monarkut, në vendet monarkike.

Ndodh dhe në momentin kur lideri në të gjitha rastet, familjar, politik apo monarkik, mënjanohet dhe heq dorë nga pushteti me vullnetin e tij ose dhe i detyruar, duke e lënë me të shkruar se kush do të trashëgojë lidershipin pas largimit të tij. Pra lë testamentin.

Historia ka treguar se në shumicën e rasteve, pretendentët për të marrë trashëgiminë, nuk kanë qënë asnjëherë të kënaqur me pozicionin e lënë, ndaj kanë shpërthyer debate dhe përplasje në rastin më të mirë, endjen nëpër gjykata në kohët moderne, e deri luftëra të përgjakshme brenda familjes, duke sjellë shuarjen e jetëve të tëra e deri në shuarjen e perandorive dhe mbretërive. Historia e ka treguar këtë, e ka të shkruar dhe shumëkush e ka lexuar nëse ka qënë i interesuar.
Këto rastet e fundit përmbajnë brenda dhe rrëzimin me forcë nga ‘froni’, shuarjen e të gjithë zërave kundërshtues dhe vendosjen e hierarkisë së re drejtuese, sunduese apo dhe familjare. Dhe këto hyjnë në rastet e përgjakshme.

Por në të gjitha rastet, zhvillime të tilla ndodhin vetëm atëherë kur lideri, është larguar nga jeta, është dobësuar dhe nuk e sheh veten të aftë të ushtrojë kompetencat që mban, dhe mbi të gjitha kur pretendentët janë të pakënaqur me trashëgiminë e lënë nga ai.

I thamë të gjithë këto elementë që nga historitë familjare e deri politike apo monarkike, për të bërë një përqasje krahasuese me situatën në të cilën ndodhet grupimi më i madh i shkëputur nga PD, Foltorja e themeluar dhe e udhëhequr nga Sali Berisha. I cili për hir të së vërtetës është në ‘perëndim’ të kohës së tij biologjike, pasi ajo politike për një njeri normal, ka përfunduar me kohë dhe vakt për të.

Koha politike ka përfunduar që më 2013 për Berishën, pas asaj humbjeje poshtëruese përballë opozitës së atëhershme të udhëhequr nga Edi Rama, kur dhe dha dorëheqjen, pasi kishte provuar më parë të gjitha postet e larta në shtetin shqiptar të post-komunizmit. Ishte zgjedhur president dy herë dhe kishte qënë kryeministër dy mandate rresht, duke ardhur në pushtet më 2005 pasi e zbuan me armë, sepse u mori shqiptarëve përmbi 1.2 miliardë dollarë kursime përmes firmave mashtruese piramidale, shkatërroi shtetin për 3 ditë dhe gati e çoi vendin në luftë civile.

E kemi thënë dhe herë të tjera, që Berisha duhej të ishte ‘zhdukur’ nga kupola politike vetë, që pas dorëheqjes si President në korrik 1997, për të mos provuar ‘nusërimin’ dy herë në pushtet. Nuk e bëri. Nuk e bëri as kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve më 2013, teksa emëroi Lulzim Bashën në krye të PD, duke i shkaktuar humbjen e pamerituar Sokol Olldashit, i cili sot nuk jeton më, pas atij aksidenti të mistershëm automobilistik.

Berisha jo vetëm që nuk iku nga drejtimi i PD, por iu shtua akoma më shumë ‘nepsi’ për pushtet brenda PD, aq sa pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA e më pas Britania e përjashtimit nga grupi i PD e më pas nga vetë PD që i bëri Basha, shtuar dhe hallin që e ka zënë me drejtësinë, e ndau PD në dy pjesë, duke marrë vetë drejtimin e pjesës më të madhe të anëtarësisë demokrate. Por dhe duke e katandisur këtë grupim në bjerrje gjithnjë në atë farë feje, sa përnatë bën ‘serenata’ poshtë dritares së banesës së Berishës, i cili ka gjetur këtë mënyrë komunikimi, dhe kjo kundër ligjit, me militantët që i kanë mbetur, pas arrestit shtëpiak, masë kjo e dhënë nga Gjykata e Posaçme.

Ajo që vihet re me sy të lirë është lodhja e demokratëve, për 33 vite me radhë, duke dëgjuar të njejtat gjëra nga Berisha, ndërkohë që po përgatiten për mandatin e katërt rresht në opozitë. Pra ndonëse deklarohet për ‘revolucion’ për rrëzimin e Ramës, Rama me PS merr akoma më shumë mbështetje nga qytetarët e do hyjë në mandatin e tretë qeverisës rresht e vetme, pasi në mandatin e parë qeverisi në aleancë me LSI-në e Ilir Metës.

Por mbi të gjitha ajo që vihet re qartë është dhe lodhja e vetë Berishës me veten, gjë që shfaqet jo vetëm në pamjen e jashtme dhe zërin e tij, por dhe në tezat dhe kauzat politike që lançon nga dritarja e banesës ku është mbyllur në arrest shtëpiak. Flet me një gjuhë të lodhur, me një fjalë.

Për hir të së vërtetës Berisha e ka humbur lidhjen me realitetin me kohë dhe vakt, por me sa duket izolimi në arrest shtëpiak ka dhënë efektin më të madh, duke e bërë që të humbasë dhe kontrollin mbi grupimin e tij politik, ku çfarë e thotë njëri nuk e thotë tjetri. Madje ndryshojnë dhe brenda vetëvetes deklaratat nga mëngjesi, dreka dhe darka.

Vitet për Berishën, ndonëse i quan numra për t’i dhënë gajret më shumë vetes, kanë bërë të veten, dhe përpara demokratëve dhe ithtarëve që e ndjekin, shfaqet me tërë dimensionin e një njeriu në pleqëri të thellë, të një politikani të pafuqishëm për të bërë kauzë dhe për t’i shkuar deri në fund një kauze.

E shohin si një ‘makineri’ që kërcet dhe nxjerr thuajse të njejtën zhurmë, që më shumë se sa të motivon për të ecur para, të acaron dhe ta heq dhe atë motivim që ka mbetur. Nuk vëmë dorën në zjarr për Flamur Nokën. Ndoshta atij Berisha i duket në kulmin e karrierës politike, madje zëri i Doktorit i ‘shijon’ si muzika më bukur në botë. Apo dhe ndonjë tjetër që e ndjek me sy mbyllur.

‘Djajtë kanë dalë nga shishja’ është shprehja më e saktë për të evidentuar situatën e luftës brenda llojit që ka shpërthyer tek Foltorja. Eshtë luftë për trashëgimimë e drejtimit të Foltores, një konflikt i fshehur që në krye të herës që ka shpërthyer brenda familjes, sikurse vijnë zërat nga koridoret e grupimit të Berishës.
kryesuar një komplot të madh ndaj tij, duke e shpallur kot ‘non grata’ 8 vite pas largimit nga pushteti, vetëm e vetëm për të forcuar pushtetin e Edi Ramës.

Bardhi është i qartë në nismën e tij, kërkon të dalë deputet nga lista e Berishës, por dhe pret me durim se kur do të ikë Berisha për të vijuar ‘betejën’ me pretendetët e tjera brenda familjes apo grupimit, për t’i zënë vendin. Duke mbajtur në ‘xhep’ dhe opsionin e daljes si parti më vete nëse gjërat shkojnë keq për të dhe ata që e ndjekin. Nuk duhet përjashtuar si pretendent për të qënë lideri i ri i demokratëve të bashkuar, përtej Berishës dhe Bashës dhe ish rivali i Këlliçit në ‘primaret’ për bashkinë e Tiranës, mjeku Ilir Alimehmeti. Një natë më parë ai deklaroi se ‘po humbasim kohë me çështjen e zotit Berisha, e cila nuk do na çojë askund!’. Pra e vendosi ‘shishen në radhë’ dhe ai si pretendent për të trashëguar drejtimin e Foltores dhe më gjërë.

Ndërkohë që brenda grupimit të Bardhit janë shtuar zërat për zgjedhjen e një lidershipi të ri brenda PD, pa Berishën dhe Bashën dhe mbi të gjitha zgjedhjen e një qeverie dhe një kryeministri në ‘hije’ pa Berishën brenda. Pra ai po përgatit terrenin në të gjitha rastet, që të përfitojë maksimalisht, teksa u shkëput nga Basha për t’u bashkuar me ‘armikun’ Berisha. Duke përdorur tezën e bashkimit, bashkim vende vende që ka ndodhur vetëm në sallën e Parlamentit, për të ndezur tymuese, thyer karrige dhe bllokuar punimet.

Dhe në fund të herës ajo që po kuptojnë demokratët, e shprehur dhe përmes largimit një nga një nga mbështetja për Foltoren, është se ‘barometri’ tregues që Berisha ka marrë fund politikisht është beteja që ka nisur në të gjitha krahët për trashëgiminë e drejtimit të Foltores. Pra pasuesin e tij. Pasi në kundërshtim me të gjitha rastet historike që përmendën në krye të herës, pretendimet kanë nisur pa dëshirën e liderit, i cili deklaron se është ai në krye të Foltores, dhe mbi të gjitha në të ‘gjallë’ të tij, biologjikisht e politikisht. Ndonëse se me shpirt nëpër dhëmbë në të dyja rastet.

Me sa duket pretendentët për të marrë trashëgiminë e liderit të grupimit politik të Foltores e quajnë Berishën një ‘kufomë të pakallur’ politike, dhe kanë filluar përplasjet për ta pasuar që në të gjallë në tij. Një rast i paprecedent, por që tregon se përfundimisht për këto pretendentë dhe për pasuesit që i ndjekin, se Berisha është i ‘vdekur’ politikisht, ndaj po luftojnë për vendin e tij, të cilin e shohin vakant.

Se si do të shkojë situata brenda Foltores dhe më gjërë brenda opozitës, e ka të qartë gjithkush, duke parë ‘pikiatën’ e rënies së mbështetjes për Berishën nën arrest shtëpiak, ku me gjithë lutjet për protesta masive, demokratët e qytetarët nuk lëvizin as gishtin, por shohin punët e veta. Madje në mënyrë sfiduese pinë dhe kafe afër banesës së tij, duke pasur në vësh zërin e Berishës, me të cilin janë mësuar për 33 vite me radhë.

Dhe njeriu që i kupton të gjitha këto situata është vetë Berisha, por është tepër i pafuqishëm për të gjitha arsyet e mundshme, që t’i fusë ‘djajtë në shishe’. Për hir të hallit të tij me drejtësinë, ai është i detyruar të bëjë sikur s’kupton dhe sikur bën lëshime, duke e zgjatur akoma më shumë agoninë e grupimit politik. Me shpresë se mund të përfitojë diçka rrugës, deri në përballjen e tij përfundimtare me gjykatën për vendimin përfundimtar për akuzat që ka në kurriz.

Deri atëherë, nuk besojmë se do të ketë njeri afër. Veç familjarëve e Flamur Nokës. Deri atëherë do presim të shohim si do të katandiset Foltorja. Ku goditja përfundimtare pritet të merret në zgjedhjet e vitit 2025, ku nuk diskutohet më tashmë se do të shënojë humbje të sigurtë, por sa e thellë do të jetë ajo. Thjeshtë është çështje kohe dhe afatesh ligjore deri datën e zgjedhjeve.