Komisioni Rregullator vulosi parimisht zgjedhjet e 11 majit duke certifikuar rezultatet.
Pas një kalvari ankimimesh dhe rinumërimesh, Komisioni votoi parimisht për miratimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit me tre vota pro dhe dy vota kundër. ‘Opozitar’ të rezultatit të zgjedhjeve janë anëtarët e PD, Muharrem Cakaj dhe Helga Vukaj.
Pas këtij hapi, Presidenti Bajram Begaj do të dekretojë fillimin e legjislaturës së re.
Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste ka fituar 83 mandate, aleanca e Partisë Demokratike ka siguruar 50 mandate, ndërsa Partia Socialdemokrate ka fituar tre mandate, Partia Mundësia ka marrë dy mandate, dhe Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet kanë marrë nga një mandat secila.
Pas ankimimeve të opozitës ndaj rezultateve të qarqeve, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të rinumërojë disa kuti zgjedhore, duke hapur pjesërisht kutitë në Durrës dhe Elbasan, dhe plotësisht në Fier dhe Tiranë. Megjithatë, edhe pas rinumërimit, rezultati i zgjedhjeve mbeti i pandryshuar. Me këtë hap, Kuvendi i ri do të marrë formën e tij zyrtare dhe legjislatura e re pritet të nisë punën në ditët në vijim.