Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert duke folur për krizën në Bjellorusi, ka përshëndetur ofertën e OSBE-së nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, për dialog mes palëve.Gjatë konferencës për shtyp, raporton Vizion Plus, Seibert kërkoi edhe hetim për vitkimat gjatë protestave të dhunshme të këtyre ditëve në Bjellorusi.
“Dialogu mes autoriteteve dhe qytetarëve është shumë i rëndësishëm. Ne përsërisim edhe njëherë që OSBE duhet të ndërmjetësojë dialogun. Gjithashtu përshëndesim kryesuesin e OSBE zotin Edi Rama i cili ka treguar gatishmërinë e tij, i cili ka ofruar ndërmjetesimin për dialog me Lukashenkon. Pamjet e fundjavës tregojnë se qytetarët ne Bjellorusi kanë treguar shumë guxim dhe kanë protestuar lirisht në një numër shumë të madh njerëzish në rrugë. Atyre duhet t’u jepet mundësia për një të ardhme më të mirë për vendin e tyre.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane foli edhe për çëshjen e liderit të opozitës. Sic raporton Vizion Plus, ai tha se ekziston mundësia që Aleksej Navalny, i cili ndodhet për kurim në një spital në Berlin, të jetë helmuar.
“Ne kemi të bëjmë me një pacient që ka të ngjarë të jetë helmuar. Dyshimet janë që dikush e ka helmuar z. Navalny – gjë që për fat të keq, sipas rasteve vitet e fundit në historinë ruse, na shtyn të dyshojmë shumë seriozisht se në këtë çështje bëhet fjalë për helmim. Por së pari ne duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të zbulojnë mjekët tanë”
Navalny vijon të jetë i shtruar në një spital në Berlin dhe prej disa ditësh ndodhet në gjendje kome. Diagnoza e kundërshtarit kryesor të presidentit rus Vladimir Putin nuk është përcaktuar ende, raporton Vizion Plus.