Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi nëpërmjet një mesazhi në rrjete sociale u ka uruar pushime të mbara të gjithë nxënësve, duke rezervuar edhe një këshillë për ta.

“Pushimet verore tashmë kanë filluar, unë kam një këshillë për të gjithë ju. Shijojeni sa më shumë këtë verë, me lojëra, me aktivitete sportive, por sidomos duke lexuar. Sezoni veror le të na shërbejë për të grumbulluar sa më shumë energji pozitive për vitin e ardhshëm shkollor. Leximi i librave apo edhe përsëritja e njohurive që keni marrë përgjatë vitit që lamë pas, do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të ndiheni gati për klasën pasardhëse. Prandaj, në asnjë moment mos iu ndani librit!” – thekson ministrja Kushi.

Ajo ka nënvizuar se falë punës dhe këmbënguljes së përbashkët, ky vit i vështirë shkollor u mbyll me sukses, dhe kjo është kënaqësi dhe krenari për të gjithë bashkë.

Më tej ajo bën të ditur se Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, së bashku me të gjithë mësuesit në të gjithë vendin, janë angazhuar e do të punojmë fort që viti i ri shkollor t’i gjejë sa më të përgatitur.

Ministrja Kushi e mbyll mesazhin e saj me një urim.
“Me shpresën e mirë se viti i ardhshëm do të fillojë më i mbarë, unë ju uroj të gjithëve pushime të mbara në Shqipërinë tonë të mrekullueshme! Përqafime të gjithëve!”