Themeluesi i “Thodex”, Faruk Fatih Özer është lënë në burg. Gjykata e Elbasanit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Elbasanit për arrest me burg. Gjithashtu është miratuar kërkesa për ekstradim në Turqi.

Gjyqtar i çështjes ishte Elis Dine ndërsa prokuror Kreshnik Ajazi.

Në seancën me dyer të mbyllura, bosi turk i kriptomonedhave kërkoi që të mos e ekstradojnë në Turqi me pretendimin se atje i rrezikohet jeta.

“Ndaj meje është sulm politik. Mos më ekstradoni, më rrezikohet jeta në Turqi”, kështu ka thënë bosi turk i kriptomonedhave në seancën gjyqësore në Elbasan.

Sipas avokatës së tij, Faruk Ozer ka kërkuar që procesi të kryhet në Shqipëri ndërsa ka deklaruar para togave të zeza se nuk e dinte që kërkohej ndërkombëtarisht por kishte ardhur për të investuar.